English

UISH: Infermieria produkt i mjekëve, por ata shpesh e shajnë produktin e tyre

Tiranë, 3 mars, NOA - Infermieria është produkt i mjekëve, por ata shpesh e shajnë produktin e tyre.

Ky është shqetësimi i radhës që ngre Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, i cili pohon se janë infermierët ata që duhet të marrin në dorë të ardhmen e profesionit të tyre, sepse vetëm ata duhet dhe mund të ndryshojnë cilësinë e kujdeseve shëndetësore.

Kjo bazuar sipas tij edhe në faktin se janë shpesh mjekët që thonë se kujdesi infermieror çalon shumë tek ne.

“Është e vërtetë që mjekët shpesh shprehen kështu sepse siç thotë populli rrufetë shkarkojnë poshtë gjithmonë.

Por e vërteta është; gjithmonë në të kaluarën edhe sot infermieria ka qenë dhe ka mbetur peng i mentalitetit të mjekëve dhe produkt i punës së dobët të tyre sepse ishin mjekët ata që drejtojnë shkollat mjekësore dhe kurset mjekësore që mësuan dhe përgatitën këta infermierë dhe tani shajnë produktin e tyre.

Janë mjekë ata që sot në të gjitha fakultetet publike dhe private drejtojnë e përgatisin infermierë në atë cilësi që ata e dinë mirë.

Janë mjekët ata që drejtojnë institucionet shëndetësore në të gjithë vendin që marrin në punë apo që zgjedhin cilësinë e infermierëve që marrin, e cila shpesh lë për të dëshiruar, që trajtojnë e kualifikojnë infermierët në institucionet e tyre n.q.s u bie ndër mend ndonjëherë për ta. Pra, infermieria është produkt i mjekëve dhe ata shpesh shajnë produktin e tyre”, pohon Skënderi.

Duke shtuar se “ajo që e shqetëson më shumë UISH-në, është fakti se ka ardhur koha që mentaliteti i vjetër për t’i mbajtur në hije gjithmonë infermierët duhet ndryshuar.

Infermierët duhet të marrin në dorë të ardhmen e profesionit të tyre, sepse vetëm ata duhet dhe mund të ndryshojnë cilësinë e këtyre kujdeseve”.

Por kjo kërkon më shumë iniciativë dhe punë nga infermierët, por edhe mbështetje dhe hapësirë nga mjekët të cilët aktualisht përfaqësojnë infermierët e tyre kudo edhe atje ku hartohen politikat, ku merren vendime e ku hartohen e miratohen ligje për ta. Pse jo dhe ligjvënësit nuk duhet të harrojnë se janë aty edhe me votat e 14 000 punonjësve të kujdesjeve dhe të shumë familjarëve e njerëzve të tyre.

Unë mendoj se ka ardhur koha që infermierët të dëgjohen dhe të përfaqësohen në të gjitha nivelet, kemi 14 vjet që nxjerrim infermierë me shkollë të lartë, me fakultete dhe janë të gjitha mundësitë që infermierët të vendosin vetë për të ardhmen e tyre, por kjo do mbështetje dhe hapësirë ligjore. Kjo do dhe vullnet për të ndryshuar kujdesin shëndetësor në Shqipëri”, citon Skënderi.

E lidhur me këtë të fundit, ai shton se kujdesjet infermierore janë të rëndësishme se përbëjnë 70% të këtij kujdesi, ndërsa kujton se infermierët përbëjnë 75% të punonjësve të shëndetësisë.

E megjithatë, UISH paraqet shqetësimin se vlerësimi për ta është shumë i paktë dhe kjo duket dhe nga mungesa e përfaqësimit në të gjitha nivelet institucionale.

Rrugëzgjidhja që mendon UISH për

të ardhmen e këtyre kujdeseve

“Mendojmë se ka ardhur koha:

Të rivlerësohen programet e formimit dhe të standardizohen ato për të gjitha fakultetet e infermierisë duke marrë eksperiencat më të mira ndërkombëtare në formimin infermieror dhe kjo i takon Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Të mos abuzohet me liberalizimin e arsimit të lartë për të nxjerrë infermierë pa fund duke abuzuar me cilësinë e tyre që nesër të ndihen keq dhe të themi:”infermierët i kemi të dobët” dhe të bëhen pjesë e gabimeve dhe e fajeve të rënda deri në krim nga paaftësia.

Të krijojmë sa më tepër mundësi e hapësira për edukimin e vazhdueshëm profesional të tyre dhe jo t’i lemë në harresë në këtë drejtim.

Të ndëshkojmë mendimin se duhet një diplomë pavarësisht sa dimë për këtë profesion dhe mësojmë duke punuar, por gabimet në punë mund të jenë fatale dhe kriminale, prandaj duhet gjykuar mirë ky problem, për këtë një risi e mirë është ligji për profesionet e rregulluara që i kalon të gjithë në një sitë për aftësimin e tyre profesional, por informimi për të dhe masat për zbatimin e tij na duken të pakta dhe të vonuara.

Sigurisht masë tjetër që do ta frenonte paaftësinë dhe mentalitetin e mësipërm është marrja në punë me konkurrim të hapur sipas ligjit dhe në zbatim të legjislacionit në fuqi vetëm programet e akredituara të formimit dhe testimi i plotë etiko-profesional të bëjë të mundur punësimin. Urdhri Infermierit shpesh vihet në dilemë se në kundërshtim me ligjin infermierë të tillë merren në punë dhe më vonë vijnë kërkojnë lejen e ushtrimit të profesionit e cila për arsyet e mësipërme nuk duhet të jepet dhe fillojnë ankesat dhe debatet e panevojshme, ne nuk duam të bëhemi pjesë e gjynaheve të paaftësisë sepse na ndëshkon zoti. Vetëm duke rritur kërkesat për cilësinë e këtyre profesionistëve që do merren në punë si në sektorin publik edhe atë privat ne do të mbrojmë pacientin nga keq-ushtrimi i profesionit të infermierit por do të rritim dhe cilësinë e kujdesin infermieror dhe atij shëndetësor. Ky është misioni ynë ne interes të publikut ne ftojmë të gjithë publikun të bëhet pjesë e rritjes së kësaj cilësie”.

Cila është problematika e kujdeseve infermierore?

- Formimi Bazë, Formimi Vazhdueshëm Profesional, Kualifikimi dhe Specializimi.

Formimi bazë: Dihet mirë që është i ndryshëm dhe kryesisht është në nivelin e arsimit të mesëm profesional sigurisht i trashëguar nga sistemi nga i cili ne vijmë. Ngritja e këtij formimi në nivel Universitar ishte një risi shumë pozitive edhe liberalizimi i arsimit të lartë krijoi hapësira dhe mundësi për të gjithë ata që e dëshirojnë këtë profesion, por ne vërejmë me keqardhje se cilësia e këtij produkti nuk është ajo që kërkohet sigurisht kjo ka të bëjë me programet, me cilësinë e dhënie së tyre, me praktikat dhe cilësinë e realizimit të tyre. Ne çuditemi kur vijnë infermierë që kanë mbaruar një fakultet infermierie, kanë bërë dhe legjislacion në fakultet dhe nuk dinë se ka një ligj të Urdhrit të Infermierit, nuk dinë se ka një Kod Etik-Deontologjik të Infermierit, por thonë ne kemi bërë Kodin e mjekut dhe këtu na kujtohet shprehja e një dekani të një fakulteti infermierie nga një vend evropian që tha pas një vizite tek ne : “Se ju nuk mësoni studentëve infermieri të mirëfilltë, por mjekësi të cunguar sepse përdorni ato tekste të përgjysmuara e të shkruara nga mjekët, sepse gjithandej pedagogët i keni mjek” .

Formimi i vazhdueshëm profesional: Një nga problemet më të mëdha dhe më i domosdoshmi n.q.s do të mendonim për rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor duhej punuar fort për përmirësimin e cilësisë së kujdeseve infermierore duke menduar për formimin e vazhdueshëm profesional, trajnimin dhe specializimin me të gjitha të rejat e shkencës infermierore të të gjithë këtyre profesionistëve gjë që deri tani ka ndodhur në mënyrë spontane dhe jo të planifikuar. Kjo edhe pse QKEV e la për një moment tjetër akreditimin dhe certifikimin këtyre profesionistëve.

NOA

KOMENTE