E enjte, 3 mars 2011, NOA- Zëvendës ministri i Brendshëm Avenir Peka mori pjesë për dy ditë rresht në konferencat e organizuara në Slloveni në kuadër të Konventës së Bashkëpunimit Policor në Europën Juglindore.
Në datën 28 mars 2011, në takimin e 5-të të Komitetit të Ministrave të vendeve nënshkruese të Konventës së Bashkëpunimit Policor, përveç Ministrave të 8 vendeve anëtare në Konventë morën pjese si të ftuar edhe deputetja e PE-së, Tanja Fajon si dhe Shefi i Njësisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Zgjerimit në Komisionin Europian, Luigi Soreca.
Takimi i 5-të i Komitetit të Ministrave miratoi një serë dokumentesh të rëndësishëm në interes të implementimit të Konventës së Bashkëpunimit Policor mes vendeve të Europës Juglindore, pranoi kërkesën e Komisionit Europian për të angazhuar Sekretariatin e Konventës së Bashkëpunimit Policor mes vendeve të Europës Juglindore, krahas aktorëve të tjerë, në procesin e monitorimit të situatës pas liberalizimit të vizave për vendet e rajonit, si dhe miratoi platformën e mekanizmit monitorues të Sekretariatit.
Në fjalën e tij, Zëvendësministri Peka theksoi se në interes të monitorimit të procesit pas liberalizimit të vizave, Shqipëria ka ngritur një mekanizëm të brendshëm monitorimi dhe se është e gatshme të shkëmbejë të dhëna dhe analiza mbi vlerësimin e këtij procesi.
Përfaqësuesi i Komisionit Europian, Soreca theksoi nevojën e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit me ato të BE-së, duke e konsideruar këtë proces shumë të rëndësishëm, si dhe rolin e Sekretariatit të Konventës si një domosdoshmëri që vendet e rajonit të kenë zërin e tyre në këtë proces nëpërmjet këtij Sekretariati.
Eurodeputetja Fajon, në fjalën e saj drejtuar Ministrave te Brendshëm, vlerësoi masat e marra nga vendet për të monitoruar procesin, si dhe prezantoi si prioritet të Parlamentit Europian liberalizimin e vizave me Kosovën.
Në Konferencën e 2-të të zhvilluar pasditen e datës 28 Shkurt 2011, Ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare te Konventës miratuan iniciativën e Sllovenisë për Ngritjen e Grupit të Përbashkët të Hetimit mes vendeve anëtare të Konventës dhe në fund nënshkruan një memorandum mirëkuptimi nëpërmjet të cilit u miratua fillimi i një projekti të posaçëm, financuar nga BE dhe implementuar nga Sllovenia e Bullgaria, në bashkëpunim me vendet e anëtare në Konventë me anë të cilit vendet anëtare në Konventë do të krijojnë një platformë të përbashkët të hetimeve të përbashkëta për të gjitha fushat e Konventës.
Në fjalën e tij në këtë Konferencë, zv.ministri Peka theksoi rëndësinë e këtij projekti dhe garantoi se Shqipëria do të angazhojë të gjitha resurset e saj me qëllim implementimin me sukses në praktikë të hetimeve të përbashkëta me vendet e tjera.
Në datën 1 mars 2011 u zhvillua konferenca e 8-të e Ministrave të Brendshëm të vendeve të rajonit të Europës Juglindore “Mbi sigurinë e kufijve dhe bashkëpunimin ndërkufitar” organizuar nga DCAF dhe Ministria e Brendshme e Sllovenisë.
Zv.ministri Peka, pas fjalës përshëndetëse në sesionin e hapjes së Konferencës në cilësinë e vendit në te cilin ishte zhvilluar Konferenca paraardhëse, ajo e 7-të, në dy sesionet e kësaj konference prezantoi progresin e Shqipërisë në fushën e sigurisë kufitare për vitin 2010, duke iu referuar rolit të këtij progresi në procesin e liberalizimit të vizave për shtetasit shqiptarë, si dhe gjithashtu paraqiti objektivat dhe qëndrimin e Ministrisë së Brendshme për të ardhmen mbi nevojën dhe gatishmërinë për të rritur e forcuar më tej bashkëpunimin ndërkufitar me vendet fqinje dhe ato të rajonit.
Në fund Ministrat nënshkruan një deklaratë të përbashkët me anë të të cilit synojnë forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar në rajon si dhe një program aktivitetesh të përbashkëta me anë të të cilit do të përmbushen objektivat e përcaktuar në deklaratë për vitin 2011.
a.y/NOA