English

Ambasadori Arvizu takon policët para protestës së FRESSH

Tiranë, 4 mars 2011, NOA – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Aleksandër Arvizu ka vizituar pak minuta më parë mjediset e Ministrisë së Brendshme, ku do të nisë edhe protesta e paralajmëruar 12 orëshe e Forumit Rinor Eurosocialist, të cilët do të kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Lulzim Basha.

Ambasadori amerikan në këtë lëvizje të beftë është takuar me efektivët e Policisë së Shtetit që janë në mbrojtje të dikasterit të Brendshëm para nisjes së protestës së FoRESSH-it.

Ambasadori amerikan ka kaluar pranë vendit ku po vendoset podiumi i protestës së FRESSH-it, duke përcjellë në mënyrë të tërthortë edhe një mesazh për forcat e rendit që të ruajnë qetësinë dhe të sigurojnë mbarëvajtjen e protestës së të rinjve.

Të rinjtë do të kërkojnë sot dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, të cilin e konsiderojnë përgjegjës për urdhrin për vrasjen e katër demonstruesve të 21 janarit.

Ata kanë paralajmëruar se protesta do të vazhdojë deri në mesnatë.

mit/NOA

KOMENTE