Tiranë, 4 mars 2011, NOA – Ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka përuruar sot sistemin e ri të videosurvejimit me kamera të kryeqytetit. Ministri i Brendshëm gjatë prezantimit në zyrat e monitorimit e cilësoi projektin e monitorimit të Tiranës me kamera si një hap gjigant për sigurinë në rrugë.
Zoti Basha tha gjithashtu se me këtë sistem të ri të monitorimit të trafikut me kamera të gjithë qytetarët janë të barabartë përpara ligjit.
“Ky sistem, tha Basha shumëfishon kapacitetet e policisë rrugore për të patrulluar nëpër autostrada”.
Ai e konsideroi projektin si një projekt me shumë risi për Tiranën.
Ky projekt i ri i prezantuar nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha është bazuar mbi lajtmotivin “Për një Tiranë europiane”.
Gjatë përurimit merrte pjesë edhe Drejtori i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj.
Sistemi i ri i monitorimit me kamera do të mbulojë të gjitha hapësirat publike në Tiranë.
Sipas ekspertëve të policisë sistemi do të mundësojë parandalimin dhe dokumentimin e veprave penale, pasi përmes kamerave dokumentohen lëvizjet e qytetarëve të Tiranës në zona të ndryshme si dhe do të përpunohet edhe informacioni për shtetas të dyshimtë.
Kamerat e videosurvejimit do të vendosen nëpër vende jo të dukshme nëpër kryqëzimet e Tiranës dhe do të vëzhgojnë rrugët, bulevardet, sheshet dhe mjediset social-kulturore, institucionet shtetërore dhe qendrat e biznesit.
Territori i Tiranës do të mund të vëzhgohet i tëri nga policia në një zyrë qendrore, e ndërlidhur me të gjitha kamerat në kryeqytet.
mit/NOA