English

Klosi: Imami e Basha shndërruan Shqipërinë në parajsën e kontrabandës së armëve

Tiranë, 4 mars 2011, NOA- Deputeti socialist Blendi Klosi deklaron se Shqipëria nën sundimin e Sali Berishës është transformuar në një qendër të kontrabandës së paligjshme të armëve.

Sipas tij nga vendi ynë po furnizohen me armë e municione disa nga regjimet më despotike e kriminale në botë.

“Sikur të mos mjaftonte vjedhja e zgjedhjeve, sikur të mos mjaftonte korrupsioni e aferat skandaloze të çdo ministri të këtij pushteti, sot del në pah, një tjetër e vërtetë e frikshme: po del në pah që Dhe fajin për këtë e ka Saliu dhe vetëm Saliu që i ka dhënë bekimin e tij kësaj tregtie të pistë”, u shpreh Klosi.

Sipas tij, Ministri Imami, i cili sot është ministri i radhës që mbikëqyr këtë kontrabandë të turpshme, deklaroi me paturpësi se qeveria e Jemenit, kundër së cilës është ngritur sot në këmbë një popull i tërë për të kërkuar liritë e të drejtat, na qenka një vend aleat.

Duke vijuar më tej Klosi tha: “Po a nuk i vjen turp këtij ministri që dikur kapardisej majë tankeve për të rrëzuar Sali Berishën, që armët shqiptare po përdoren sot që nga Libia e deri në Jemen për të qëlluar mbi qytetarë të pafajshëm që kërkojnë demokraci?

Po Hezbullahu që kur na u bë një lëvizje mike, që ministri Imami të ndihmojë në armatimin e tij me eksplozivë e armë, në shkelje të plotë jo vetëm të miqësisë e angazhimeve të sigurisë në kuadrin e NATO-s dhe aleancës me Shtetet e Bashkuara, por dhe në shkelje të rezolutave të OKB? Fajin për këtë e ka sërish Saliu”.

Klosi theksoi se ministri Imami po ndjek gjurmët e ministrit tjetër të regjimit Lulzim Basha, miqësia e të cilit me Fazlliçin e ka bërë sot Shqipërinë një shesh me lule për gjithfarë personazhesh nga Serbia.

Në mbyllje të fjalës së tij deputeti socialist tha se, “Shqipëria është shndërruar sot në një parajsë për kontrabandistët serbë të armëve dhe në një pazar të madh armësh e municionesh për regjime despotike e lëvizje terroriste e fondamentaliste nga mbarë bota. Arben Imami e Lulzim Basha janë negociatorët e këtyre pazareve të pista, por fajin për këtë turp e ka vetëm Sali Berisha”.

a.y/NOA

KOMENTE