English

Kryeministri Berisha: Arsimimi është leva e Arkimedit për Shqipërinë

Tiranë, 4 mars 2011, NOA- (Update) Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në inaugurimin e sallës së re "Silvano Pedrollo", në korpusin qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës.

Rikonstruksioni i saj u realizua me kontributin personal të zotit Silvano Pedrollo, i njohur për mbështetjen dhe kontributet e tij të vazhdueshme në Shqipëri.

Kryeministri Berisha falënderoi zotin Pedrollo për kontributin e tij për transformimin e kësaj salle, në një auditor me stil Europian.

“Gjatë karrierës sime pedagogjike dhe si politikan, - u shpreh Kryeministri - kam hyrë shumë herë në këtë salla e kam takuar shumë herë miqtë e mi këtu, por transformimi që i keni bërë kësaj salle është i mrekullueshëm. Deri para këtij transformimi, kjo sallë ishte e stilit totalitare”.

Kryeministri Berisha ritheksoi se arsimimi është dhe mbetet përparësia më madhore e qeverisë shqiptare, njëherësh edhe fusha më e vështira e më e rëndësishme.

Ai shtoi më tej se, “Gjatë këtyre viteve, së bashku me botën akademike, ne ia kemi dalë të shënojmë arritje historike në rrafshin e sasisë. Për kombin dhe vendin tim, ky vit shënon një moment shumë të veçantë e të rëndësishëm në histori, sepse 70 për qind e atyre që mbaruan shkollën e mesme janë ulur në bankat e universiteteve. Ndërkohë janë bërë përpjekje të mëdha nga bota akademike për t’u përshtatur me kushtet e tregut, janë hapur degë të reja, janë ndryshuar kurikula, janë ndërtuar laborator të rinj, por unë jam absolutisht i vetëdijshëm se mbështetja duhet të jetë shumë më e madhe e do të jetë. Ashtu siç rendëm me vendosmëri të madhe drejt këtyre treguesve, tani së bashku do të rendim drejt cilësisë dhe unë kam shumë besim se çdo vit, ne do t’ia dalim të konsolidojmë cilësinë në universitetet tona. Ora globale është ora, me të cilën ne duhet të ecim me çdo kusht”.

Kryeministri Berisha tha më tej: “E kemi nisur si një nga 2-3 kombet më të varfra në botë, me rreth 204 dollarë për frymë në vitin 1992, por sot renditemi ndër kombet me të ardhura të mesme të larta. Duhet të bëjmë çdo gjë të kapërcejmë ylberin për t’u bërë një vend me të ardhura të larta dhe këtë do ta bëjmë së bashku. Leva e Arkimedit për ta realizuar këtë është arsimimi”.

Ai u premtoi studentëve se Qeveria është e vendosur të mbështesë studentët që fitojnë të drejtën për të ndjekur 15 universitet më të mira të botës, të mbështesë çdo doktoratë e master ekstra universitar në universitete më të mira, në programet e studimeve dhe kërkimeve shkencore.

Ndërkaq të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Silvano Pedrollo dhe Ambasadori italian në Shqipëri, Saba D’Elia.

a.y/NOA

KOMENTE