English

Ministri Pollo: Lufta kundër korrupsionit prioritet i Qeverisë

Tiranë, 4 mars 2011, NOA – Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit Genc Pollo ka ritheksuar sot angazhimin e palëkundur të Qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit. Ministri i ITIK-ut tha se « Kjo ka qenë një sfidë e madhe e mazhorancës qeverisëse gjatë 5-vjeçarit të shkuar dhe vazhdon të mbetet një prioritet kryesor në vazhdim ». Ministri Pollo e bëri këtë deklaratë gjatë takimit të katërt të Grupit Drejtues të Projektit kundër korrupsionit në Shqipëri i bashkëdrejtuar nga Ministri Pollo dhe kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadori Ettore Sequi, një takim ku u diskutua për zbatimin e projektit PACA për periudhën shtator 2010 - mars 2011.

“Qeveria shqiptare ka demostruar hapur dhe me vepra vullnetin për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin dhe ka shënuar arritje të njohura edhe ndërkombëtarisht nëpërmjet: Përmirësimit të kuadrit ligjor, duke e bërë gjithnjë e më transparent dhe në përputhje me standardet evropiane ; refomave të pandërprera modernizuese të sistemit në të gjitha fushat dhe ngritjes ose forcimit të strukturave të reja, me qëllim goditjen pa dallim të individeve ose zyrtareve, të cilët kanë kryer vepra korruptive », nënvizoi ministri i Inovacionit.

Projekti kundër korrupsionit në Shqipëri është një projekt i përbashkët asistence teknike i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës i nisur që nga 1 shtatori 2009 për një periudhë 30 mujore.

Projekti zbatohet nga Këshilli i Evropës dhe financohet nga Bashkimi Evropian (94%) dhe nga Këshilli i Evropës (6%).

Objektivi i përgjithshëm i PACA-s është që të kontribuojë për demokracinë dhe shtetin e së drejtës nëpërmjet parandalimit dhe kontrollit të korrupsionit.

Objektivat specifike të projektit janë:

1-Të përmirësohet zbatimi i strategjive dhe politikave kundër korrupsionit të qeverisë shqiptare (Strategjia dhe Plan Veprimi Anti-korrupsion 2007-2013) në harmoni me rekomandimet e GRECO-s dhe MONEYVAL-it dhe me angazhimet e Partneritetit Evropian.

2-Të kontribuohet për parandalimin e korrupsionit në sektorin e arsimit duke përmirësuar transparencën, llogaridhënie dhe pjesëmarrjen sociale në sistemin arsimor.

Ministri i Inovacionit Genc Pollo është gjithashtu Kryetar i Grupit Ndërministror të Punës për Strategjinë Ndërsektoriale te Parandalimit, të luftës kundër korrupsionit e Qeverisjes Transparente.

mit/NOA

KOMENTE