Prishtinë, 4 mars 2011, NOA- Presidenti i Kosovës Behxhet Pacolli ka takuar legjendën e futbollit Gjerman dhe Botëror, Franc Beckenbauer i cili është i njohur edhe si një përkrahës i madh i sportit dhe sportistëve kosovarë. Ai kërkoi nga legjenda Beckenbauer që të bëjë çka do që është në mundësitë e tij që të ndihmojë në ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës, sidomos të futbollit, për ta bërë futbollin e Kosovës pjesë të UEFA-s dhe të FIFA-s. “Vendi ynë, Kosova, ka fat të madh që ka një popull me një rini të shëndoshë e të talentuar si potencialin më të fuqishëm të saj. Të rinjtë tanë kanë dëshmuar aftësi të rralla çdoherë kur u është dhënë mundësia dhe hapësira e veprimit, sidomos në aktivitete sportive”, tha Presidenti Pacolli, duke përkujtuar se Kosova ka një popullatë të re dhe të mrekullueshme, ku mbi 50 për qind e qytetarëve janë nën moshën 25 vjeçare. Ai gjithashtu përmendi një varg sportistësh shqiptarë, shumë të suksesshëm në botë, sidomos në sferën e futbollit, me të cilët krenohet Kosova, por edhe shtetet në të cilat ata i zhvillojnë aktivitetet e tyre. “Ne meritojmë një shans për të qenë pjesë e integruar e aktiviteteve ndërkombëtare sportive. Sporti nuk njeh diskriminime, sporti nuk është i politizuar, sporti nuk njeh hidhërime dhe sporti është një krijues i paqes. Z.Beckenbauer është një njeri i paqes dhe ne i drejtohemi atij që t’i ndihmojë Kosovës, të ndihmojë sportin e Kosovës”, tha ndër të tjera Presidenti Pacolli. Nga ana e tij, Beckenbauer, pasi ka uruar Presidentin Pacolli për zgjedhjen në detyrën e tij në krye të vendit, ka thënë se ndihet i nderuar që viziton Kosovën, për herë të parë. Ai tha se nuk është një politikan por një sportist dhe që është i njoftuar me zhvillimet në Kosovë në të kaluarën dhe në të tashmen. Ndërlidhur me kërkesën për anëtarësimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në FIFA, Beckenbauer theksoi se në një takim të kësaj organizate, është vendosur që çështja të kalojë për trajtim së pari në UEFA, ndërsa nga ana e tij ai do të bëjë gjithë çka është e mundshme që të ndihmojë sportin e Kosovës që të ecë përpara drejt ndërkombëtarizimit.
Në takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës, Memli Krasniqi. Më tej pasi ka shtuar një drekë në nder të Beckenbauer, Presidenti Pacolli ka dekoruar legjendën e futbollit gjerman, me çmimin “Ambasador Nderi i Kosovës”.
Ky është çmimi i parë që Pacolli e jep si President i Kosovës. Çmimi “Ambasador nderi” i jepet futbollistit Beckenbauer për kontributin që ai ka dhënë dhe që do të vazhdojë ta japë për integrimin e futbollit kosovar në UEFA dhe në FIFA.
a.y/NOA