English

PDIU: Qëndrimet e Greqisë, të papranueshme

Tiranë, 4 mars, NOA - Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar sot në lidhje me deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë të Jashtëm të Greqisë, Jorgo Dhelavekuras, publikuar sot në mediat vendase, ku përfaqësuesi i diplomacisë greke thekson e mos regjistrimi i popullsisë mund të cenojë integrimin e Shqipërisë në BE.

“Regjistrimi i popullsisë është një çështje e brendshme e shtetit shqiptar dhe ndërhyrjet e një shteti të huaj për mënyrën dhe kohën se kur Shqipëria do të zhvillojë një census janë të papranueshme. Regjistrimi i popullsisë është një procedurë që çdo shtet e ndjek dhe kryhet në mbarë botën çdo vit të dytë të dekadës. Pyetjet mbi përkatësinë etnike, fetare dhe gjuhësore nuk përfshihen në pyetësorët e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian, përfshi shtete që kanë minoritete apo grupime të mëdha etnike dhe gjuhësore, si Greqia, Spanja, Franca, Italia, Gjermania, Belgjika, Zvicra, etj”, thuhet në reagimin e PDUI.

Sipas saj në BE, nga 27 vende anëtare, vetëm përafërsisht 10 kryejnë regjistrimin mbi këto baza.

Në deklaratë theksohet se të gjitha vendet e BE kanë përcaktuar vetë se çfarë pyetsori do të kenë dhe asnjë shtet tjetër nuk ka të drejtë të ndërhyjë. “Kështu, edhe shteti grek nuk ka të drejtë të ndërhyjë në një çështje që i përket sovranitetit ligjor të shtetit shqiptar. Shkelja e këtij sovraniteti, sidomos nga një shtet me shumë minoritete të panjohura, që nuk ka kryer kurrë regjistrim mbi baza etnike, përbën një përqasje tragjikokomike të marrëdhënieve ndërshtetërore Shqipëri-Greqi, që dëmton rëndë imazhin e shtetit grek në sytë e gjithë shqiptarëve, duke dëmtuar si pasojë edhe marrëdhëniet e mira që duhet të ekzistojnë mes dy popujve dhe dy shteteve”, thuhet në deklaratë.

Nga ana tjetër PDIU theksohet se deklarata të tilla vijnë pas atyre të klonsullti grek dhe tregojnë se ky grupim ka influencë të madhe në politikën e vendit fqinje.

“Kur deklarata të tilla fyese ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, vijnë paralelisht me vendimin për rikthimin e konsullit grek në Korçë, i cili si pa të keq përmendte terma irredentiste të papranueshme për çdo vend, tregon se kemi të bëjmë me një skenar të parapërgatitur, jo të një konsulli me xhup e paraqitje të pistë, por të një grupimi individësh që kanë influencë të madhe në politikbërjen e vendit fqinj, e që mesa duket nxinisn “nisjen e betejës për Vorio Epirin, pas regjistrimit të popullsisë”, siç kishte deklaruar konsulli Ikonomu”, thuhet në deklaratën e PDUI.

Nga ana tjetër PDUI reagon dhe për etiketimin si “qarqe nacionaliste shqiptare” në deklaratën e zëdhënësit të ministrisë greke.

“Duke qenë se deri më sot Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Klubi i Patriotëve të Rinj kanë kryer protesta kundër këtij regjistrimi, duam të hedhim poshtë këto karakterizime aspak të denja për diplomacinë e një shteti evropian. PDIU dhe KPR janë dy forca atdhetare shqiptare që luftojnë për të drejtën e kombit shqiptar, në respekt të plotë të të drejtave të të gjitha kombeve të tjera, e aq më tepër të kombeve fqinje”, thuhet në reagimin e PDUI.

Duke u ndalu në çështjen e regjistrimit, PDUI thekson se për regjistrimin e minoriteteve duhet nxjerrja e rezultateve bazuar në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, që është cilësuar nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Evropian si një regjistër model.

“Kjo është mënyra më e mirë që kërkesa e minoritetit për të pasur një numër të plotë dhe real të anëtarëve të tij të realizohet. Në bazë të këtyre të dhënave zyrtare, PDIU është e gatshme të votojë apo qoftë edhe të iniciojë çdo ligj në Kuvend për respektimin e të drejtave të minoritetit”, thuhet në deklaratë.

Sipas PDUI kjo do të ishte në përputhje me atë që vendet perëndimore bëjnë dhe do të shmangte një regjistrimi derë më derë, “që do të ishte nën kërcënimin e pensioneve që shumë shqiptarë marrin nga Greqia e që nëse deklarojnë veten e tyre ashtu siç janë realisht, pra shqiptar, do të mund ta humbasin. Shmang kërcënimet për heqien e lejeve të qëndrimit të mijra shqiptarëve në Greqi, nëse nuk kryejnë deklaratë të rreme dhe shmang pagesat në dorë që lobet greke po përgatisin në mbarë vendin”.

Nga ana tjetër Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i bën thirrje shtetit shqiptar, që të mos kryejë një regjistrim mbi baza etnike dhe fetare që mbjell ndjenjën e ndarjeve të mëdha brenda kombit shqiptar dhe të reagoj ashtu siç i takon një shteti sovran dhe të pavarur mbi përfaqësues diplomatik të shtetit fqinj që bëjnë deklarata irredentiste si konsulli i Korçës. “PDIU i bën thirrje ministrit të Inovacionit të heq nga pyetësorët pyetje që nuk ekzistojnë në asnjë vend të përparuar, aq më pak në një vend unitar si Shqipëria, që qarqe të huaja tentojnë ta paraqesin si multietnike. Shqipëria nuk është multietnike dhe nuk do të jetë kurrë e tillë”, thuhet në deklaratën e PDUI.

a.k/NOA

KOMENTE