English

Përfundon protesta e FRESSH para MB, policia s’pranoi zgjatjen deri në mesnatë

Tiranë, 4 mars 2011, NOA – Edhe pse ishte paralajmëruar se do të zgjaste deri në mesnatë protesta e të rinjtë të Forumit Eurosocialist është mbylluar në harkun kohor të 90 minutave thirrje përpara mjediseve të Ministrisë së Brendshme, pasi Policia e Shtetit gjatë negociatave me të rinjtë nuk ka pranuar ta lejojë zgjatjen e protestës për 12 orë. Koordinatorja e protestës së FRESSH-it Elisa Spiropali gjatë protestës deklaroi se të rinjtë po negocionin me policinë për zgjatjen e orarit të protestës, një negociatë kjo e mbyllur pa sukses për protestuesit.

Gjatë protestës disa dhjetëra të rinj të drejtuar nga Kryetarja e FRESSH-it Elisa Spiropali kanë hedhur parrulla kundër ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, duke e cilësuar atë si vrasësin e katër demonstruesve të 21 janarit.

Të rinjtë mbanin në duar fotografi të ministrit Basha, të kryqëzuar me një kryq të kuq, që nëkupton se Basha është i kërkuar për vrasje.

Protestuesit i bënë thirrje ministrit të Brendshëm të japë dorëheqjen nga posti dhe të dalë përpara drejtësisë.

“Ik vrasës ik”, “Ik Basha ik, “Ju jeni vrasës”, ishin disa nga thirrjet e të rinjve të FRESSH-it, ndërkohë që Ministria e Brendshme mbrohej nga një kordon policor.

Kryetarja e FRESSH-it bëri me dije se protestat e eurosocialistëve do të vazhdojnë.

Në fund të rinjtë protestuar janë shpërndarë qetësisht pas fjalimit të drejtueses së protestës, Elisa Spiropali.

mit/NOA

KOMENTE