English

Pogradec, “Netët e ftohta”, pranga shtatë hajdutëve të pusetave


Foto ilustruese

Pogradec, 4 mars 2011, NOA – Pas hetimit një javor Komisariati i Policisë së Pogradecit finalizoi mbrëmë me sukses operacionin e koduar “Netët e ftohta” duke arrestuar plot shtatë persona që u kapën duke vjedhur pusetat në një lagje të Pogradecit dhe me akuza për një seri vjedhjesh të kryera në këtë qytet. Të arrestuarit janë 28-vjeçari Olgert Mukollari banues ne lagjen nr. 4 në Pogradec; 22-vjeçari Nexhip Piperi; 28-vjeçari Fadil Shuli; 34-vjeçari Bledi Sinanllari; 34-vjeçari Aurel Agolli banues në fshatin Vreshtas të Korçës; 48-vjeçari Xhevdet Spaho banues në fshatin Vreshtas; dhe 38-vjeçari Leonard Mekshi banues në fshatin Homesh në qytetin e Pogradecit.

Policia e Pogradecit informoi se arrestimi i shtatë personave u realizua në momentin kur ata po vidhnin pusetat e ujësjellës–kanalizimeve në lagjen nr. 1 në Pogradec.

Shtetasit në fjalë akuzohen për vjedhjet e kabinës elektrike në fshatin Homesh, të banesës së shtetases me iniciale A. Sh në qytetin e Pogradecit, vjedhjen e një sasie kablli elektrik në shëtitoren “Dëshmoret e Pojskës”, si dhe në fshatin Vërdovë të Pogradecit.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e këtyre shtetasve u janë gjetur një sasi prej 200 kg kabëll elektrik Bakri, dy copë troko, dy kapakë pusetash, një televizor si dhe disa pjesë metalike bakri.

Shtatë të arrestuarit do të procedohen për veprat penale të vjedhjeve të kryera në bashkëpunim dhe për fshehje të sendeve të vjedhura.

mit/NOA

KOMENTE