English

PS: Lul Basha kandidati i regjimit për Bashkinë e Tiranës

Tiranë, 4 mars 2011, NOA – “Mesa duket Luli do të jetë kandidati i regjimit për Bashkinë e Tiranës. Por ky do të jetë rasti më i mirë që kryeqytetasit t’i tregojnë vendin me votë Saliut, Lulit e të gjithë koalicionit të turpit që vodhi votat për të vjedhur Shqipërinë dhe vrau për të vazhduar të vjedhë”, deklaroi sot nga selia rozë anëtarja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Megi Ajtyresa.

Ajtyresa reagoi sot pas prezantimit nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha të projektit për monitorimin e Tiranës me kamera, i titulluar Scout, ku Basha akuzoi Bashkinë e Tiranës për mosmenaxhimin e kryeqytetit në mbarëvajtjen e trafikut. Ajo theksoi se Lulzim Basha nuk duhet të flasë e të mburret për video survejimin e Tiranës pasi ai është nën akuzë dhe duhej të ishte përpara gjyqit për vrasjet e 21 janarit.

“Si mund të qeshë Lulzim Basha përpara kamerave kur Tirana dhe e gjithë Shqipëria kërkojnë largimin e tij, të Saliut dhe të krejt koalicionit të turpit pasi e kanë parë në video kusarinë e tyre të pashoqe dhe pasi e kanë parë sesi vranë në mënyrën më kriminale 4 qytetarë të pafajshëm”, tha Ajtyresa.

Anëtarja e PS-së Megi Ajtyresa nënvizoi gjatë konferencës për shtyp se “Lul Basha është sot shëmbëlltyra e natyrës kriminale e të korruptuar të regjimit vrastar të kusarisë”.

Ajtyresa e akuzoi Lulzim Bashën si të vetmin ministër të Brendshëm në Europë që kërkohet edhe për vrasje edhe për vjedhje për llogari të regjimit, duke theksuar më tej se Basha është ministri më i dështuar në krye të policisë, e kthyer në kohët e zymta të keqpërdorimit politik.

mit/NOA

KOMENTE