Tiranë, 4 mars 2011, NOA – Ndërkohë që Kryetari i KQZ-së Arben Ristani i bëri thirrje partive opozitare PS e PBDNj të regjistrohen për zgjedhjet vendore deri në 8 mars, selia rozë ka reaguar duke kërkuar dorëheqjen e Arben Ristanit pasi e cilëson atë si një nga shkaktarët e krizës politike në vend. Deputeti i Partisë Socialiste Armando Subashi deklaroi në një konferencë të shkurtër për shtyp se “Ristani ripërsërit refrenin e shkeljes së ligjit, por i kujtojmë atij, se ai vetë është një nga shkaktarët e krizës politike në vend”.
Deputeti socialist e akuzoi shefin e KQZ-së se nën udhërat e Berishës ka shkelur shumë herë ligjin, jo vetëm në zgjedhjet e kaluara.
Sipas Subashit, Ristani po përgatit vjedhjet dhe manipulimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit përmes një strategjie të kujdesshme.
“Ia kemi thënë dhe po e përsërisim që nëse ai është i shqetësuar realisht për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri, dhe zbatimin e ligjit, bën mirë të japë dorëheqjen të largohet nga KQZ dhe të bëhet pjesë reale e zgjidhjes së kësaj krize të rëndë që ka mbërthyer vendin”, apeloi deputeti i PS-së.
mit/NOA