English

Shqiptarët në SHBA reagojnë për vrasjet në Frankfurt

Nju Jork, 4 mars, NOA - Organizata lobiste shqiptaro-amerikan në SHBA kanë reaguar dhe dënuar vrasjen në Frankfurt e ushtarëve amerikan në Aeroportin e Frankfurtit, duke u solidarizuar me dhembjen e familjeve që përjetuan këtë tragjedi.

Shoqatat, organizatat, grupe me interesa të ndryshme shqiptarësh, veprimtarë të njohur të komunitetit, kanë reaguar ashpër lidhur me ngjarjen që ndodhi të mërkurën në njërin nga parkingjet e jashtme të Aeroportit ndërkombëtar të Frankfurtit- Gjermani, ku mbeten të vrarë dy ushtarët amerikan dhe u plagosën dy të tjerë.

Ata u deklaruan se u drejtuan edhe miqve të tyre amerikan, senator, kongresmen, dhe zyrtar të lart të Qeverisë Amerikane, por edhe kolegeve të tyre të punës, fqinjëve të tyre, se u kanë përcjellë me këtë rast ngushëllimet e tyre për dhembjen e madhe për këtë ngjarje, të rëndë e makabre.

Shoqatat, organizatat, grupe me interesa të ndryshme shqiptarësh, veprimtarë të njohur të komunitetit tonë, qendrat fetare kishat e xhamiat, kanë reaguar ashpër lidhur me ngjarjen që ndodhi të mërkurën, ku i riu kosovar Arid Uka shtiu me armë ndaj dy ushtarëve amerikan duke i lënë të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur.

Ngjarja nxiti menjëherë reagime të ashpra në Shtetet e Bashkuara, ku thuhet se jetojnë më shumë se gjysmë milioni shqiptarë .

Federata Panshqiptare ” Vatra” në SHBA, në deklaratën e saj thotë se ndjehet thellësisht e pikëlluar për vrasjen e e dy ushtarëve amerikanë e plagosjen e dy të tjerëve në Frankfurt të Gjermanisë. Ata i shprehin ngushëllimet më të thella Presidentit amerikan Barak Obama, popullit amerikan dhe familjeve të ushtarëve që humbën jetën.

Vatra shpreh bindjen se kjo tragjedi, që fatkeqësisht ka për autor një të ri shqiptar me origjinë nga Mitrovica, nuk do ta prishë imazhin e miqësisë të popullit dhe të shtetit Amerikan me Kosovën dhe popullin Shqiptar. Ata dënojnë në mënyrën më të ashpër aktin mjeran, të të riut Arid Ukaj dhe e konsiderojnë atë si një akt antinjerëzor, akt që nuk ka asgjë të përbashkët me frymën e miqësisë dhe të dashurisë të Kombit Shqiptar ndaj Shtetit dhe Kombit Amerikan.

Ish kongresmeni republikan dhe ish kanditatin për Senator Joe DioGuardi presidenti vullnetar i Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane theksoi se: "zemrat dhe lutjet tona në këto momente janë me ata që humbën jetën dhe ata që u plagosën dhe familjet dhe miqtë e të gjithë atyre që u preken nga kjo tragjedi këtu në SHBA.”

"Ky është një akt, që ne të dy besojmë se ishte i veçuar dhe s'ka asnjë lidhje me shqiptarët miqësinë dhe ndjenjat pro amerikane të shqiptarëve.", theksoi DioGuardi.

Sipas tij, akti i një individi të vetëm nuk do të ndikojë në asnjë mënyrë në miqësinë e thellë dhe të qëndrueshme mes dy vendeve tona.

Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKSHA), nëpërmjet deklaratës për shtyp , thotë se dëshiron të shpreh ngushëllimet e saj të sinqerta për familjet e dy ushtarëve të vrarë , dhe dëshiron një shërim sa më shpejtë dhe të plotë për të dy të tjerët që u plagosën.

KKSHA shprehet se Populli i Kosovës janë përgjithmonë mirënjohës për atë që ka bërë ushtria amerikane për Kosovën, heroizmin e tyre në fund të fushatës serbe të spastrimit etnik në vitin 1999.

“Popullit shqiptar në të gjithë botën janë të pikëlluar thellë nga kjo tragjedi e pa kuptimtë. Në veçanti, ne mund të afirmojmë gjithmonë e më shumë vlerat që kemi në miqësinë tonë unike, të ngushtë dhe të përjetshme me popullin Amerikan dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në fund të deklaratës së KKSHA-së.

Me reagime kanë dalë edhe partitë politike, shoqatat dhe personalitetet të tjera të komunitetit shqiptar në SHBA.

NOA/INA

KOMENTE