Prishtinë, 4 mars 2011, NOA- Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu, gjatë një takimi me studentët e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, referoi gjatë për gjuhën dhe kombin dhe për përpjekjet për ta bërë Shqipërinë multietnike.
“E gjithë strategjia e ndërtimit të shtetit, duhet të bazohet mbi vlerat të cilat ka kombi, të cilat natyrisht e bëjnë dhe e frymëzojnë shoqërinë të prodhojë gjithmonë qeverisje më të mira. Qeverisje për një Shqipëri më të mirë, qeverisje për një Kosovë ndryshe. Nuk do dëshiroja kurrë të shikoja një Shqipëri dhe një Kosovë, siç kemi parë Gjermaninë Lindore dhe atë Perëndimores sepse nuk mund të jetë ashtu. Ka një kulturë, ka një gjuhë, ka një të ardhme. Është momenti që ndërgjegja kombëtare, të vihet në plan të ndërtimit të themelit të shtetit”, deklaroi Spahiu.
Kryetari i KLD-së u ndal edhe te procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë dhe Shqipëri duke u shprehur sërish kundër regjistrimit fetar dhe atij etnik.
“Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për një regjistrim popullsie, por natyrisht në Shqipëri në një vend unitar, nuk ka vend për regjistrim mbi baza etnike dhe fetare. Nuk ka vend që shteti të pyes nëse beson në Zot apo jo. Nuk ka vend që të pyes se cilit besim i përket. Besimi është një gjë që zgjidhet”, deklaroi Spahiu.
a.y/NOA