English

Topi mesazh Obamës: Hidhërim për vrasjen makabër të ushtarëve amerikanë

Tiranë, 4 mars 2011, NOA – Dy ditë pas sulmit që tronditi aeroportin e Frankfurtit në Gjermani, Presidenti i Republikës, Bamir Topi i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama për vrasjen e dy ushtarëve amerikanë dhe plagosjen rëndë të dy ushtarëve të tjerë. “Me hidhërim shumë të thellë mora lajmin makabër të vrasjes së dy ushtarëve amerikanë dhe plagosjen e dy të tjerëve nga një dorë kriminale dhe terroriste, që preku rëndë ndjenjat e kombit shqiptar dhe atij amerikan, në një moment të shkëlqyer të marrëdhënieve të gjithanshme midis dy popujve e vendeve tona”, shkruan në mesazhin e tij Kreu i Shtetit.

Më tej në mesazhin drejtuar shefit të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Topi thekson se “Në emër të popullit shqiptar, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, qeverisë Suaj dhe gjithë popullit amerikan”.

Kryetari i Shtetit shqiptar shpreh bindjen e plotë se motivet kriminale të këtij akti do të zbulohen shumë shpejt.

Presidenti Topi i shprehu bindjen Presidentit amerikan Obama se dora gjakatare do të marrë dënimin e merituar nga drejtësia.

mit/NOA

KOMENTE