English

Vrasjet në Frankfurt, dyshohen për shkak të një video

Frankfurt, 4 mars, NOA - Detaje të tjera janë duke u publikuar në lidhje me vrasjen e dy ushtarëve amerikanë nga Arid Uka, 21 vjeç në Frankfurt të Gjermanisë. Ndërkohë, është publikuar edhe fotografia e parë pas arrestimit të Aridit.

Prokuroria gjermane po vazhdon hetimet, ndërkohë janë paraqitur edhe mospajtimet e para ndërmjet tyre dhe autoriteteve amerikane.

Prokurorët federale gjermane kanë thënë se ekziston dyshimi se akti ishte i motivuar nga islamizmi. Megjithatë, ministri i brendshëm gjerman Boris Rhein ka thënë se deri tani nuk është zbuluar se ai vepronte në ndonjë rrjet.

“Nga hetimet tona deri më tani kemi mësuar se ai (Aridi) ka vepruar vetëm”, ka thënë ministri Rhein, shkruan Guardian.

Por një zëdhënës i Pentagonit, Dave Lapan, ka thënë se ende nuk dihet nëse në sulm kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë. “Përqendrimi kryesor i hetimeve do të jetë përcaktimi nëse me Aridin kanë qenë të përfshirë edhe njerëz të tjerë”, ka thënë Lapan.

“Ka shenja se bëhet fjalë për myslimanizëm të radikalizuar”, ka shtuar ai.

Bllok apartamenti ku ka jetuar Arid Uka në Frankfurt

Raportohet se i riu Uka ka jetuar në një bllok apartamenti me një të dyshuar për terrorizëm, Rami M, i cili dyshohet se ka lidhje me Lëvizjen Islamike të Uzbekistanit.

Ndërkohë, në një intervistën e tij të parë me policinë, Uka thuhet se ka këmbëngulur se kishte vepruar i vetëm dhe nuk ishte anëtar i asnjë grupi terrorist.

Por, Spiegel Online thotë se Uka i ka thënë hetuesit se kishte kryer sulmin, pasi kishte shikuar një video në YouTube ku gratë myslimane përdhunoheshin nga ushtarët amerikanë.

NOA

KOMENTE