Bahrejn, 5 mars, NOA - Në Mbretërinë e Bahrejnit janë zhvilluar për të parën herë që prej fillimit të protestave para dy javësh përleshje të dhunshme midis myslimanëve sunitë dhe shiitë. Qindra vetë u turrën me thika dhe shkopinj kundër njëri-tjetrit në vendbanimin Hamad. Në përfundim policia i ndau të dyja palët. Shumica shiite e popullsisë ndihet e diskriminuar prej familjes mbretërore sunite. Ndërkaq opozita u shpreh e gatshme për bisedime me qeverinë. Është pranuar ftesa e shtëpisë mbretërore për dialog tha opozitari udhëheqës, Abdul Xhalil Halil. Në një letër të hapur gjashtë grupe të mëdha të opozitës kërkuan njëkohësisht dorëheqjen e qeverisë dhe lirimin e të burgosurve politikë. Për këtë të premte janë paralajmëruar tubime të reja në kryeqytetin Manama. Në shtetin e vogël të Gjirit Persik ka prej tre javësh demonstrata për reforma dhe për më shumë demokraci. Gjatë përplasjeve me policinë u vranë të paktën shtatë vetë. Protestat mbështeten para së gjithash prej shumicës së popullsisë shiite.
NOA/DV