English

Berisha: Nderime gjenisë krijuese të Dritan Çelës

Tiranë, 5 mars 2011, NOA- Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e promovimit të librit “Përgjigje dashurisë”, në kujtim të përkthyesit Dritan Çela, i cili u nda jeta 5 vjet më parë.

Promovimi i librit u bë në ambientet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila mbështeti edhe botimin e këtij libri që vjen si një antologji kujtimesh.

Kryeministri Berisha, duke vlerësuar talentin e shkëlqyer të Dritan Çelës në fushën e përkthimit, i përjetësuar në gjuhën shqipe përmes disa kryeveprave të letërsisë Europiane, u shpreh se “Dritani meritonte të jetonte shumë më gjatë, meritonte të krijonte më shumë, por aq sa la, fitoi përjetësinë”.

Duke folur për talentin e Dritan Çelës, Kryeministri përcolli edhe disa kujtime për të atin e Dritanit, shkrimtarin e njohur Zija Çela.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se, “Unë nuk e kam njohur Dritanin, e kam njohur nëpërmjet trashëgimisë. I dashur Zija, jam i bindur se që nga ato ditë e netë përkushtimi total, kur Dritani luftonte me vdekjen e gjer më sot, do të doje që ai të të trashëgonte ty e kjo është normale, por e vërtetë është se sërish duhet të jesh i lumtur, sepse ai la një trashëgimi të shkëlqyer jo vetëm për ty, por për të gjithë miqtë e tu, për të gjithë shqiptarët. Natyrisht, meritonte të jetonte shumë më gjatë, meritonte të krijonte më shumë, por aq sa la, fitoi përjetësinë’.

Pas fjalëve për veprën e Dritan Çelës në mbyllje Kryeministri Berisha tha: “Dua t’ju shpreh të gjithëve nderimin më të madh, t’i shprehim të gjithë së bashku mikut tonë, Zija Çela, nderimin tonë për përkujdesjen prindërore, me të cilën ai përjetëson gjeninë krijuese të Dritanit”.

a.y/NOA

KOMENTE