English

Hysi: Protestoni për të mos vajtuar fatin e zi të një pushteti që vret

Tiranë, 5 mars 2011, NOA- Deputetja socialiste Vasilika Hysi në një deklaratë për mediat përsëriti edhe njëherë ftesën për të protestuar në 8 mars.

Ajo tha më tej se 26 shqiptarë, burra e gra, të moshuar e fëmijë humbën jetën nga shpërthimi tragjik i korrupsionit në Gërdec për shkak të varfërisë e papunësisë që i shtyu këta njerëz të punonin në fabrikën e vdekjes.

Hysi shtoi se, “Sot, kur kanë kaluar thuajse dy vjet nga ajo tragjedi e shkaktuar nga korrupsioni i pushtetit, familjarët e të vrarëve, nënat e motrat e tyre po përjetojnë për së dyti herë dhimbjen e asaj tragjedie kur shohin se ende asnjë prej fajtorëve për atë shpërthim kriminal të korrupsionit nuk është dënuar për jetët e humbura, për jetët e gjymtuara dhe për dhimbjen e lotët e atyre nënave e motrave. Dhe fajin për këtë tragjedi e ka Sali Berisha”.

Deputetja socialiste theksoi se, në emër të tyre, në solidaritet me vuajtjen dhe dhimbjen e tyre, në 8 mars, ditën e martë në orën 11, gratë e nënat do të protestojnë përpara kryeministrisë, për jetët e humbura dhe për të ngritur zërin për të kërkuar që drejtësia të shkojë në vend.

Hysi përmendi edhe katër viktimat e demonstratës së 21 janarit që sipas saj,

humbën jetën nga plumbat e shtetit që u qëlluan mbi ta, teksa protestonin paqësisht, pa armë.

Ndër të tjera në emër të grave socialiste ajo shtoi: “Për të ngritur zërin kundër varfërisë, papunësisë, pamundësisë dhe korrupsionit që mbizotëron në Shqipëri për të cilat fajin e ka Sali Berisha dhe vetëm Sali Berisha. 4 shqiptarë të cilësuar si të droguar, mercenarë e kokëpalarë nga pushteti që po bën çdo gjë që drejtësia të mos nxjerrë kurrë autorët e këtij krimi përpara ligjit. Duke i vrarë ata për herë të dytë e duke mos lejuar që të mbyllen plagët e dhimbja e familjeve të tyre”.

Në përfundim Hysi përsëriti edhe një herë ftesën për të gjitha gratë e të gjithë ata qytetarë që duan të protestojmë, “për t’i treguar pushtetit se nuk pajtohen me situatën ku gratë dhe nënat vajtojnë fatin e zi të djemve të tyre, të vrarë nga pushteti që vodhi votat për të vjedhur e që më pas vrau për të vazhduar të vjedhë”.

a.y/NOA

KOMENTE