English

Pacolli: Dëshmorët vunë themelet e shtetit, përkulem para tyre

Prishtinë, 5 mars 2011, NOA- Presidenti i Kosovës Behxhet Pacolli vizitoi Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ku i shoqëruar nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral lejtnant Sylejman Selimi, parakaloi para Gardës së FSK-së. Më pas, ai u prit në një takim nga ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku dhe bashkëpunëtorët e tij. Ministri Çeku e njohu Presidentin Pacolli me rezultatet e arritura nga Forcat e Sigurisë, në rrugëtimin drejt përmbushjes së Kapaciteteve të Plota Operacionale, gjithnjë me synimin që kjo forcë, me ndihmën e KFOR-it dhe ushtrive mike, të mbërrijë sa më parë nivelin profesional të ushtrive moderne. Nga ana e tij, Presidenti Pacolli, i cili është edhe komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ofroi gjithë mbështetjen e tij në zhvillimin e kësaj force.

Ai lavdëroi punën e bërë nga pjesëtarët e FSK-së në të gjitha angazhimet e tyre, si dhe u shpreh se do të punohet që pjesëtarët e FSK-së, qoftë edhe në mënyrë simbolike, të jenë pjesë e misioneve të ndryshme ndërkombëtare, në shërbim të paqes në botë. Pas takimit, Presidenti Pacolli mori pjesë në manifestimin qendror të shënimit të 13-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, organizuar në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku ishin të pranishëm edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ministra të kabinetit qeveritar të Kosovës, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, përfaqësues diplomatikë të akredituar në vendin tonë, udhëheqës të KFOR-it, si dhe qytetarë të shumtë, të ardhur për të përcjellë këtë ceremoni që shënon fillimin e manifestimit treditor në shënim të përvjetorit të rënies së komandantit Adem Jashari dhe luftës heroike të familjes Jashari. Gjatë fjalës së mbajtur në manifestimin “Epopeja e UÇK-së”, Pacolli tha se, “Themelet e shtetësisë sonë janë të forta falë gjakut të këtyre simboleve. Falë këtij gjaku, falë ndihmës së miqve tanë perëndimorë, ku sot dua të veçojë, për një arsye të kuptueshme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe vendet e Bashkimit Evropian, ne përmbyllëm me sukses ndërmarrjen e lirisë dhe pavarësisë tonë. Tash duhet të përkryejmë ndërtimin e shtetit tonë, ndërtimin e një shteti që garanton të drejtat për të gjithë banorët dhe qytetarët e tij”.

Ai shtoi se, në procesin e ndërtimit të shtetit, u arrit të ngrihet një institucion profesional i mbrojtjes së lirisë, siç janë Forcat e Sigurisë të Kosovës, që sipas Pacollit është trashëgimtarja e drejtpërdrejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, është një forcë e re me histori të lavdishme.

Presidenti i Kosovës e mbylli fjalimin e tij me fjalët: “U qoftë i lehtë dheu të gjithë atyre që u flijuan për këtë liri dhe pavarësi. Përkulem para heronjve tanë”.

a.y/NOA

KOMENTE