English

PD: Shoku dhe shoqja e bulevardit dështuan hetimet për të marrë mandatet e dyta

Tiranë, 5 mars 2011, NOA- Deputetja demokrate Rajmonda Bulku deklaroi publikisht mbrojtjen që sipas saj prokurorja iu bën organizatorëve të grushtit të dështuar të shtetit të 21 janarit.

Gjatë fjalës së saj ajo tha se, “Sot bëhen 43 ditë nga 21 janari, dita, kur kryepuçisti Edvin Kristaq Rama, ish- ministrat e diktaturës Ruçi e Gjinushi dhe pinjollë të tjerë të Mubarakëve, Gedafëve dhe Benalive shqiptarë, sulmuan me gurë me dru e zjarre Këshillin e Minstrave për të marrë me dhunë pushtetin dhe dështuan! Por sot bëhen 43 ditë, që për këtë akt kriminal antikushtetues Prokurorja Ina Rama nuk ka vendosur para ligjit asnjë nga organizatorët e tij”.

Më tej Bulku vijoi duke thënë se, “shoqja e bulevardit” për të dështuar hetimin ka botuar, shitur në media mbi 200 dokumente të dosjes së hetimit.

Sipas saj, prokurorët e Ina Ramës drekojnë dhe darkojnë me organizatorët dhe kriminelët e tij.

Duke vijuar akuzat në emër të Partisë Demokratike ajo tha: “Ne jemi sot këtu, për të denoncuar publikisht mbrojtjen që prokurorja iu bën organizatorëve të grushtit të dështuar të shtetit të 21 janarit, në të cilin bllokmenët e rinj donin të merrnin pushtetin me dhunë, kurse “shoku dhe shoqja e ngjarjes së bulevardit” do të siguronin mandatet e dyta”.

Bulku theksoi se, ata që kuptojnë si pavarësi të institucionit që drejtojnë dhunimin e ligjit dhe të Kushtetutës do të përgjigjen rëndë, si puçistë dhe do të marrin atë që meritojnë.

a.y/NOA

KOMENTE