"Brenda pak ditësh maja e shkrirë tregoi se çfarë është ajsbergu në Shqipëri: një proces që rrezikon të delegjitimojë nocionin e Shqipërisë evropiane. Në regresionin e vet historik, vendi kthehet në gjendjen para pyetjes “Si të bëhet Shqipëria si e tërë Evropa?”, pra në pyetjen “A mund të bëhet Shqipëria si e tërë Evropa?”.
Nga Veton Surroi
1.
Tri shoqëri shqiptare në Ballkan janë në prapakthim. Fjala është për një ecje regresive të tri shteteve të Ballkanit Perëndimor me popullatë autoktone shqiptare, e cila i kthen ato në pikëpyetjet themelore të vitit 2001, e ndoshta edhe më prapa.
Para dhjetë vjetësh, Shqipëria ishte duke formuluar politikat e veta në bazë të parullës bazike nga demonstratat e dhjetorit të vitit 1990, “Edhe ne si e gjithë Evropa”. Pas shkrirjes së shtetit më 1997, Shqipëria kishte rimarrë veten, bile aq sa për t’u përbashkuar rreth objektivit të anëtarësimit në NATO dhe procesit të integrimit në BE. Dilema e dhjetëvjetëshit 1991-2001 “A mund të bëhet Shqipëria si e tërë Evropa?” u shndërrua në pyetjen “Si të bëhet Shqipëria si e tërë Evropa?”. Në dhjetëvjetëshin e kaluar vendi do të hynte me hapa të përshpejtuar në reformat për t’u anëtarësuar në NATO dhe njëkohësisht të hynte në procesin e Stabilizim-Asociimit për në BE.
Më 21 janar të këtij viti, e me Marrëveshje të nënshkruar Stabilizim-Asociimi dhe me stazh anëtari të NATO-s, Shqipëria u kthye në gjendjen e para vitit 2001. Ndaj demonstratave të opozitës (gjithsesi jo krejtësisht të padhunshme, gjykuar prej një numri konsistent njerëzish që përpiqej me gurë të hynte në objektin e Kryeministrisë) u shkrep përgjigjja e palejueshme e armëve të zjarrta. Katër të vrarë në demonstrata politike, të qëlluar nga forca të rendit, nuk ndodh në asnjë vend me vlerë evropiane.
Për më tepër në vend të të hulumtuarit të esëllt të asaj që ndodhi, në Shqipëri u instalua një atmosferë gjuetie shtrigash, e ilustruar jo pak me një Komision hetimor parlamentar që më shumë i përngjante atij të senatorit famëkeq McCarthy në vitet ’50 se sa një demokracie evropiane që do ta rigjejë veten. Nëse Shqipëria matet me fjalorin e udhëheqësve të saj, të pushtetit e të opozitës (paçka toni i teprimit mesdhetar) atëherë vendi gjendet në hapësirën mes “kusarisë ” së pushtetit dhe “përpjekjes për puç” nga opozita- gjithsesi jo në hapësirën e një demokracie funksionale.
Brenda pak ditësh maja e shkrirë tregoi se çfarë është ajsbergu në Shqipëri: një proces që rrezikon të delegjitimojë nocionin e Shqipërisë evropiane. Në regresionin e vet historik, vendi kthehet në gjendjen para pyetjes “Si të bëhet Shqipëria si e tërë Evropa?”, pra në pyetjen “A mund të bëhet Shqipëria si e tërë Evropa?”.
2.
Kosova para dhjetë vjetësh hynte në finalen e procesit të gjatë të ndërtimit të shtetësisë, të filluar me dështimin historik të ndërtimit të Shqipërisë autoktone. Kjo finale interaktive nënkuptonte që sa më shpejt të aftësoheshin institucionet e zgjedhura demokratike aq më shpejt do t’u jepeshin atyre kompetenca nga protektorët ndërkombëtarë dhe kështu deri në aftësim për pavarësi. Kjo quhej një ecje drejt legjitimimit të shtetësisë.
Procesi, me një shtytje të madhe politike amerikane dhe të disa shteteve evropiane, arriti shpalljen e pavarësisë dhe ecjen e ngathtë të shtetit për tre vjet. Por, ai, pra, procesi, tregon dy defiçenca themelore. Nga njëra anë, me marrjen formale të kompetencave, kosovarët po tregohen në disa fusha jo shumë të suksesshëm, të ngathtë e mbase edhe të paaftë për t’i menaxhuar ato. Ilustrim janë zgjedhjet: sa më pak involvim ndërkombëtar gjatë këtyre dhjetë vjetëve aq më i madh dëmtimi i procesit nga ana e kosovarëve, deri te hajnia e hapur e demonstruar në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 2010.
Nga ana tjetër, protektorët ndërkombëtarë (përfshirë edhe EULEX-in, si protektor i butë i paspavarësisë) kanë dështuar në misionin e tyre bazik, vendosjen e rendit dhe të ligjit në tërësinë tokësore të Kosovës, si edhe vendosjen e bazave të një sundimi të pavarur të ligjit. Krahasuar me indiferencën ndërkombëtare, çfarëdo paaftësie kosovare në qeverisje duket mbase lule e dritë.
Produkti i paaftësisë së përbashkët kosovare dhe ndërkombëtare është vendosja e një standardi tejet të ulët të funksionimit të shtetit; suksesi i funksionimit të shtetit quhet vetëm stabiliteti i tij bazik, pra mungesa e dhunës. Çdo gjë tjetër që do të duhej të siguronte shteti, prej tërësisë tokësore deri te sistemi shëndetësor as që merren parasysh, për aq sa Kosova tashmë ka hyrë në zonën e rrezikshme të delegjitimit të një aspirate të veten bazike: shtetësisë.
Dhe kjo është një goditje e përmasave historike, ngase prej momentit kur kuptoi se nuk bëhej pjesë e Shqipërisë, Kosova shqiptare është angazhuar për ndërtimin e shtetësisë, qoftë nëpërmjet koniunkturës së atëhershme në Jugosllavi, qoftë me organizata ilegale, qoftë me lëvizjen demokratike të kryesuar nga Rugova, qoftë nga lufta e armatosur e UÇK-së. Gjatë një pjese të madhe të shekullit XX, pyetja themelore ka qenë: “Si të bëhet Kosova shtet?”.
Tash, kur Kosova e ka emrin e Republikës së pavarur, po ashtu ka mbërritur te dilema mbi funksionimin e shtetësisë. Shtet i papërfunduar, me një pjesë të territorit të vet të ndarë, me një legjitimitet të cunguar ndërkombëtar, me nivel të ulët të demokracisë e edhe më të ulët të institucioneve funksionale e të pavarura shtetërore – Kosova ka hyrë në prapakthim, drejt pyetjes se a është fare i mundshëm funksionimi i shtetit aq sa të përmbushë aspiratat bazike të popullatës në tërë territorin e tij. Pyetja është tash: “A do të mund të mbahet si shtet?”
3.
Në Maqedoni, shqiptarët kaluan një rrugë të gjatë, pothuaj të një shekulli të tërë për të mbërritur në një pozicion të definuar më 2001, gjatë kryengritjes së shkurtër të armatosur dhe procesit negociator që kulmoi me Marrëveshjen e Ohrit. Pozicioni i mbërritur para dhjetë vjetësh ishte ai i shqiptarëve si faktor shtetndërtues në Maqedoni, d.m.th. të aksionarit (hisedarit) legjitim të shtetit të ri.
Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Marrëveshja e Ohrit, me mungesë vizioni historik nga faktori maqedonas dhe mungesë konsistence nga faktori shqiptar është zvetënuar në negociata të përditshmërisë. Republika e Maqedonisë, e ngrirë në ecjen e vet euroatlantike për shkak të kontestit rreth emrit ka krijuar një lëvizje populliste maqedonase që përpiqet të ndërtojë legjitimitetin e vendit me projekte të së kaluarës, qoftë të shpikur, qoftë reale (prej emërtimeve të Aleksandrit të Madh deri te projekti Skupi 2014). Vendi është tashmë i ndarë në tri blloqe të mëdha : popullizmi antievropian maqedonas, besimi i shqiptarëve se vendi do të jetë anëtar i NATO-s e BE-së dhe blloku i indiferencës. Maja e ajsbergut u vërejt këto ditë në Shkup, në konfliktin mes civilëve shqiptarë dhe atyre maqedonas rreth ndërtimit të një kishe ortodokse maqedonase në Kalanë e Shkupit (pjesë e rikërkimit të identitetit maqedonas).
Debati rreth kishës, i lënë jashtë ndërmjetësimit të institucioneve publike, degjeneroi lehtë në konflikt fizik – e kështu mund të shkojë në tërë vendin.
Shqiptarët e Maqedonisë, duke mos marrë pjesë në definimin e identitetit të vendit, qofshin të larguar, të pakonsultuar apo të përjashtuar nga ky proces, janë duke hyrë me shpejtësi të madhe në procesin e delegjitimimit të të arriturës së tyre të para 10 vjetësh, pra të faktorit shtetndërtues të Maqedonisë. Dhe pyetja që pason, në të kuptuar se nuk po e ndërtojnë shtetin, është krejtësisht e parashikueshme në skajshmërinë e vet: nëse nuk e ndërtojmë shtetin, nëse nuk kemi hise në të, përse jemi në të?
4.
Të përmbledhura në një fjali, të tri krizat shqiptare janë në një proces tranzicioni të ndalur, apo të një tranzicioni që ecën mbrapa. Shqipëria është në rrezik të ecën në drejtim të kundërt prej atij të integrimit në BE, Kosova në drejtim të kundërt prej atij të konsolidimit të shtetësisë ndërsa Maqedonia në drejtim të kundërt prej atij të ndërtimit të një shteti të legjitimuar prej qytetarëve të saj shqiptarë.
Kjo e sjell tërë regjionin e banuar nga shqiptarët në një gjendje të veçantë historike, asaj të largimit (qoftë edhe relativ) nga procesi i integrimit evropian dhe vendosja në zonë gri të proceseve çintegruese e regresive që menduam se kaluan me shekullin XX. Në vend të procesit historik integrues në Evropë, shqiptarët e Ballkanit, kështu, gjenden në rrezikun që për dhjetë vitet e ardhshme të merren me veri të Kosovës apo definimin e “regjionit shqiptar” të Maqedonisë – që të gjitha këto agjenda të vendosura më herët gjetiu, nga nacionalizmi serb, në formën e vet më ekstreme, në Republikën serbe të Bosnjës.
E nga ana tjetër, nga ana e BE-së, nuk është se shqiptarët po priten nga “kushërinjtë” e tyre evropianë me duar të hapura. Brukseli i sotëm po ballafaqohet me krizën e vet të përhershme të rritjes: BE-ja ka më shumë vende anëtare se sa kapacitet institucional për të funksionuar me të; e në momentin kur mbërrin marrëveshje të re politike, siç është rasti me Lisbonën, ajo marrëveshje në një botë kaq dinamike është tashmë e tejkaluar. Shembulli më i mirë është rrezikimi i euros.
Në një këso Evrope, kur të përfundojë procesi i anëtarësimit të plotë të Kroacisë në BE, brenda dy vjetëve të ardhshëm, në rend të ditës mund të shtrohet ndoshta anëtarësimi paralel i vetëm dy shteteve të tjera: Serbisë dhe Malit të Zi, sepse të tjerat nuk do të jenë gati. Kështu, në fund të këtij dhjetëvjetëshi, të vetmit shqiptarë autoktonë shtetas të vendeve të porsaanëtarësuara në BE mund të jenë ata nga “periferitë”, pra ata të Luginës së Preshevës dhe ata të Malit të Zi.
Më 2021 jashtë do të mbetej pjesa dërmuese e shqiptarëve autoktonë të Ballkanit (natyrisht ajo pjesë që nuk zgjodhi emigrimin).
5.
Nëse ka një rrugë shkurticë për në përgjigjen e pyetjes se përse janë këto tri kriza shqiptare, atëherë e para që del është se “janë tri kriza se pse shqiptarët nuk janë bashkë”. Që do të thoshte se në rastin më të keq, po të ishin bashkë, do të ishte vetëm një krizë.
Ç’është e vërteta, një pjesë e përgjigjes është e vërtetë: shoqëritë shqiptare janë në krizë shtetndërtimi, e një pjesë e arsyes është edhe fakti se a) nuk u ndërtua një shtet përbashkues shqiptar dhe b) kur u shpall tashmë këtë e kishin bërë shumë më herët të gjithë fqinjët, duke gllabëruar një pjesë bukur të madhe territoresh autoktone.
Por, a është, a mund të jetë ilaçi për këto tri kriza bashkimi i të tria shoqërive në një shtet? Arsyetimi nuk është pa validitet: nëse Kosova gjatë viteve të ardhshme nuk arrin të ecën përpara dhe mbetet shtet i papërfunduar rruga më e shkurtër për të qenë anëtar i NATO-s do të ishte nëpërmjet bashkimit me Shqipërinë. Dhe e njëjta gjë vlen për shqiptarët e Maqedonisë, në paralizën e tyre me emrin e shtetit. Duke qenë nën ombrellën e NATO-s, do të siguronin ekzistencialisht ardhmërinë – pa marrë parasysh koniunkturat në disa prej shteteve evropiane. Vënë kështu, shqiptarët e Kosovës do ta kishin siguruar ekzistencën pa marrë parasysh se çka mendon për këtë Qiproja a Rumania dhe ata të Maqedonisë pa marrë parasysh se çka mendon Greqia.
Rrjedhimisht, kjo do të vlente edhe për në integrim evropian.
Por, një listë të mëdha pikash do të kundërshtonin logjikën e kësaj qasjeje.
Së pari, Shqipëria. Mungesa e Kosovës dhe e një pjese të Maqedonisë si pjesë e territorit të saj nuk ka me se ta pengojë në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës – zgjedhje të lira, institucione të pavarura të drejtësisë, shtyp i lirë e i pavarur. Kriza e Shqipërisë nuk ka as më të voglin ndikim nga Tetova a Prishtina – legjitimiteti zgjedhor nuk u prish nga Kosova e Maqedonia (për më tepër, këto dy vende kanë problemet e veta me legjitimitet zgjedhor).
Së dyti, ndërtimi i shtetit unik shqiptar do të ishte më shumë produkt aksidental se sa një proces i legjitimuar ndërkombëtar. Aksidental, sepse do të ishte reagim ndaj dështimit të funksionimit të Maqedonisë e pastaj edhe fitores së konceptit të ndarjes etnike (me veriun e Kosovës dhe me Republikën serbe në Bosnje e Hercegovinë). Si i tillë, do të ishte i dhunshëm, me spastrime etnike të ndërsjella në Kosovë e Maqedoni. Dhe si i tillë, do të arrihej vetëm në rast të fitores së politikës nacionaliste të Serbisë, të shkëputjes së Republikës serbe dhe të veriut të Kosovës.
Së treti, edhe po ta kishte bekimin ndërkombëtar (eliminimin e pengesës nga Pakoja e Ahtisaarit për bashkim) çështja themelore do të ishte – pas tërë këtij procesi që do të merrte gjak, energji dhe para – se a do të prodhonte bashkimi stabilitetin e menjëhershëm? A është Shqipëria e këtillë çfarë është e gatshme të absorbojë dy shoqëri të tjera të definuara shqiptare, të Kosovës dhe të Maqedonisë?
Së katërti, a ka vullnet për këtë gjë? Ndonëse në hulumtimet e opinionit publik opsioni i bashkimit është gjithnjë e më shumë në rritje në Kosovë e Maqedoni (sa më i madh stagnimi në këto vende), në Shqipëri vazhdon të mbetet jomazhoritar.
NOA