E shtunë, 5 mars 2011, NOA- Lidhur me interpretimet e mediave gjermane të atentatit të të riut të lindur në Kosovë dhe të rritur në Gjermani mbi ushtarët amerikanë, Profesori Michael Daxner ka rezerva.
Për Profesorin Michael Daxner nuk mund të vendosen lidhje kaq të thjeshta midis islamizmit, fesë, ideologjisë, Kosovës dhe atentatit në Gjermani. "Unë vetë do të druhesha dhe nuk do të vendosja lidhje midis islamit si fe, midis zhvillimeve islamike në Ballkan, midis deformimit islamik të Kosovës dhe këtij sulmi. Unë besoj se ai është një argument i mirëpritur nga djathta gjermane por nga pikëpamja empirike nuk ekziston."
Shtypi gjerman i ditës, po ashtu si mediat edhe publike kanë shtruar dy ditët e fundit pyetjet "sa islame është Kosova".
Profesori i sociologjisë, ka qenë rektor i Universitetit të Prishtinës, dhe kujton: "Në Kosovë, kam qenë përgjegjës për arsimin dhe edukimin. Dhe që në atë kohë me mua është diskutuar nëse islami mund të bëhej feja shtetërore në Kosovë. Kjo është refuzuar nga pjesa më e madhe e kosovarëve, sepse islami ishte feja e Perandorisë Osmane dhe në këtë mënyrë e kolonialistëve. Pra, islami nuk ka rrënjë të thella në Kosovë. Por islamizmi është shumë i përshtatshëm për të krijuar identitete afatshkurtra, kështu që nga fe kthehet në ideologji. Prandaj ne nuk flasim për islam por për islamizëm. Islamizmi nuk mund të merret seriozisht nga pikëpamja fetare, por ai duhet marrë seriozisht nga pikëpamja politike, nga ajo kriminale, po ashtu si të krishterët fondamentalë në SHBA që janë të gatshëm të bëjnë vepra të shëmtuara nuk kanë lidhje me krishtërimin. Megjithatë, ata i referohen fesë".
Përveç kësaj "Grupet e ekstremistëve përdorin fenë nganjëherë, për të përligjur dhunën. Kjo nuk është tipike për islamin as për ndonjë fe tjetër." Prej shumë vitesh, thotë Professori Daxner feja fillestare popullore islame, ka qenë shumë dekada e dobët në Balljan. Në kuadër të luftrave pas vitit 1991, dhe pas intervenimit në Kosovë 1999, ka pasur misione të përforcuara islame si nga ana e drejtimeve synite dhe vahabiste, ashtu edhe nga ana shiite për shembull në Bosnjë.
"Por pavarësisht nga sfondi, me të cilin lidhet sulmi i të riut, nëse ai injektohet me kaq shumë ekstremizëm këtu në Gjermani, atëherë këtu ka një seri motivesh të ngjashme si ato që kanë të rinjtë meshkuj, kur përfundojnë tek Talibanët, ose shkojnë në Pakistan", thotë Prof. Daxner.
Por si shpjegohen reagimet në Gjermani, pas atentatit të të riut?
"Këtu kemi të bëjmë me një fushë agjitacioni dhe interpretacioni e cila udhëhiqet nga anti-islamizmi zyrtar gjerman, si ajo që shihni në rastin e ministrit të ri. Shoqëria pluraliste ka po të njëjtin ndikim tek të rinjtë. Pra ka mundësi që familja të ketë ndihmuar këtë indoktrimin.
Nëse ai djalë është pjesë e një rrjeti, këtë nuk e di, atë do e gjejë BKA. Ajo që më shqetëson mua është se reaksionet janë shumë më të mëdha, sepse në këtë rast janë prekur ushtarë amerikanë. Nëse do të kishin qenë njerëz të tjerë, atëherë ka mundësi të ishin bërë më pak vlerësime politike. Por, si thashë nëse mbledh të gjitha informacionet, kjo vepër ka pak të bëjë me diskutimet për islamizmin, që zhvillojmë ne, madje në Gjermani," thotë i bindur Prof. Michael Daxner Profesor i Sociologjise dhe President i Universitetit të Oldenburgut.
DW/NOA