English

Thaçi: 5 marsi dita e zgjimit të ndërgjegjes për lirinë e Kosovës

Prishtinë, 5 mars 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi mori pjesë në manifestimin e organizuar me rastin e “Epopesë së UÇK-së” që u mbajt në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Ky manifestim u mbajt me rastin e 13-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij.

Në të merrnin pjesë drejtues të institucioneve më të larta shtetërore, përfaqësues të familjes Jashari, përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, veteranë dhe invalidë të luftës dhe qytetarë nga Kosova dhe trevat shqiptare. Gjatë fjalës së mbajtur nga Kryeministri Hashim Thaçi në ceremoninë e “Epopesë së UÇK-së” ai tha se, “13 vite më parë Familja Jashari, Komandanti Adem Jashari, e gjithë Kosova u zgjua me një betejë për liri për shtet për bashkim. Atë ditë pushka e komandantit legjendar Adem Jashari , familjes së tij , bashkëluftëtarëve të tij bashkoi gjithë Kosovën, bashkoi gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, në Shqipëri, Maqedoni, Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, Ulqin, diasporën Shqiptare në Evropë dhe SHBA”.

Ai vijoi më tej duke thënë se, atë ditë u bashkua Kosova , u bashkuan shqiptarët por edhe u zgjua vëmendja e gjithë komunitetit ndërkombëtarë për Kosovën si i kurrë ndonjëherë më parë në historinë e saj. Thaçi theksoi se, 5 marsi është dita e bashkimit të gjithë shqiptarëve, por është edhe dita e zgjimit të ndërgjegjes së bashkësisë ndërkombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. a.y/NOA

KOMENTE