English

Vallja e negociatave me korrupsionin

Nga Albin Kurti*

Duket që faktorët ndërkombëtarë në Kosovë tashmë u përcaktuan: nuk do të ketë luftim të korrupsionit në Kosovë dhe as mbështetje të sistemit vendës të drejtësisë për luftimin e korrupsionit. Faktorët ndërkombëtarë përsëri u përcaktuan për negociatat e radhës ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe jo për luftën kundër korrupsionit. Edhe nëse kishte prokurorë vendës a ndërkombëtarë që e merrnin punën e tyre seriozisht, të gjitha bastisjet e kryera dhe paditë e përgatitura përfundimisht u kuptimësuan si trysni mbi politikanët para negociatave, e jo si proces i drejtësisë. Ethet prej më shumë se një viti të politikanëve kryesorë se do të mund të arrestohen, gjykohen e dënohen për korrupsion, atyre tash iu kujtohen si një ëndërr e keqe, ndërkaq qytetarëve që shpresonin se do të ketë ndëshkim për të korruptuarit, e gjitha iu kujtohet si një ëndërr e bukur. Ama gjithsesi ëndërr se ëndërr, apo jo?

S’ka dyshim që nuk është e mundur t’i kemi njëkohësisht të dyja në Kosovë: edhe negociatat me Serbinë, edhe luftimin e korrupsionit në Kosovë. Sepse janë pikërisht politikanët më të korruptuar ata që do të negociojnë me Serbinë në emër të Kosovës e në kurriz të Kosovës. Në vend të akuzave dhe arrestimeve për zyrtarët shtetërorë e krerët institucionalë e partiakë që shpërdoruan postet e paranë publike, kemi detyrim të tyre për negociata me Serbinë për çështjet e brendshme të Kosovës. Shikimi nga Brukseli rregullisht i jep përparësi stabilitetit në Serbi kundrejt drejtësisë, demokracisë e zhvillimit në Kosovë. Sepse Bruksesi me fanatizëm vazhdon t’i përmbahet doktrinës së stabilitetit afatshkurtër që sakrifikon demokracinë kur vie puna te rajoni i Ballkanit Perëndimor. ShBA-të nuk duken as për së afërmi të interesuara si dikur me përjashtim të ambasadorëve të saj që duken së tepërmi të interesuar por jo në sferën që ky artikull ka për temë.

Me këto bisedime që mendohet të nisin në këtë muaj fiton shteti i Serbisë dhe pushteti në Kosovë. Shtetit të Serbisë i shtohet kontrolli mbi veriun e Kosovës, mbi enkalavat me shumicë serbe dhe ai avancon në integrimet evropiane, kurse pushtetit në Kosovë i zgjatet jeta dhe i shtohet toleranca ndërkombëtare ndaj korrupsionit. Ata që s’ia dinë për pasuritë dhe ndërmarrjet publike të Kosovës, për buxhetin e shtetit dhe cilësinë e jetesës së qytetarëve, ata s’çajnë kokën as për veriun e Kosovës. Dhe, natyrisht që vlen edhe anasjelltas… Kësisoj, populli i Kosovës del dyfish i humbur. Së pari, Kosovës i rrudhet territori dhe Kosova bëhet edhe më jofunksionale seç është tani. Së dyti, politikanët e korruptuar vendës përderisa negociojnë me Beogradin amnistohen për të pabërat e tyre në Kosovë dhe kështu inkurajohen ta vazhdojnë avazin e vjetër të keqpërdorimeve e manipulimeve. Kur të korruptuarit (kosovarë) pranojnë të negociojnë (me Serbinë) atëherë korrupsioni (vendës) bëhet i negociueshëm (për ndërkombëtarët).

Nga deklaratat e fundit të diplomatëve të huaj kuptohet që shumë më i ngutshëm konsiderohet të jetë fillimi i këtyre bisedimeve të paralajmëruara sesa përfundimi i tyre. Pra, duan që të nis procesi dhe nuk brengosen aq se kur do të mbarojë ai. Në fakt, kjo tregon që procesi i këtyre bisedimeve planifikohet të zgjasë bukur shumë. Nëse në Vjenë në vitet 2006 e 2007 Ekipi i Unitetit nga Kosova i bënte koncesione Serbisë me lugë supe, tash grupi negociator i Kosovës i kryesuar nga Edita Tahiri do t’i vazhdojë koncesionet me lugë çaji. Njëherë komisione për dokumenta, pastaj hollësitë rreth policisë e gjyqësisë në veri, pastaj detajet rreth mbetjes së parave të grumbulluara nga doganat në veri etj. etj., deri te republika e re serbe në Kosovë së cilës vetëm emri do t’i mungojë. Pak e ngapak deri sa të mbesim me aspak. Ose, më saktë, deri sa të bëhemi si Bosnja që duket si një shtet i vetëm në hartë por po shkove atje i gjen dy në mos edhe tri shtete të shkapërderdhura nëpër kantone e të ndara mbi baza etnike. I vetmi kufi kohor duket që është ai i dhjetorit të këtij viti kur planifikohet të jetë afati i fundit që Serbisë t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE. Jo vetëm inicimi por edhe fazat e këtij procesi të bisedimeve janë të përcaktuara nga nevojat dhe interesat e Serbisë e kurrsesi nga ato të Kosovës. Qeverisë së Kosovës do t’i ngutet ose jo varësisht se kur Serbisë i ngutet e kur jo.

Tri vjet më parë politikanëve shqiptarë në Kosovë iu lejua që ta shpallin pavarësinë formale por pa substancë. Tri vjet më vonë Serbisë po i mundësohet substanca e autonomisë por pa formën e saj. Mirëpo, teksa sovranitetit si substancë e shtetit të pavarur të Kosovës po i venitet perspektiva, formës së autonominë substanciale të serbëve brenda Kosovës i mbetet që me lehtësi të shpallet në fund të këtyre bisedimeve të reja.

*Kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje”

KOMENTE