Shkup, 5 mars 2011, NOA- Policia kufitare në vendkalimin kufitar “Bogorodicë” me Greqinë ka ndaluar pesë shtetas, gjatë kalimit të kufirit me kartona të gjelbër të falsifikuar të sigurimit të veturave.
Ministria e Punëve të Brendshme theksoi se pikat kufitare janë urdhëruar për të verifikuar kartonat e sigurimit të të gjitha makinave nëpër pikat e kalimeve kufitare.
Në kontrollin e parë të realizuar deri sot janë ndaluar pesë qytetarë nga Shkup, Kumanova dhe Prilepi, të cilët posedonin kartonat e gjelbër. MPB theksoi se do të hetojë origjinën dhe lëshimin e këtyre dokumenteve të falsifikuara. Gjatë dy muajve të fundit të këtij viti janë zbuluar 98 raste me kartonat e gjelbër, ndërsa vitin e kaluar rreth 48 raste.
Kartonat e sigurimit të makinave sigurohen nëpërmjet rrugëve ilegale, ndërsa ato mbajnë vulat e shoqërive të sigurimit të Maqedonisë, por dhe nuk janë regjistruar në regjistrat e këtyre shoqërive dhe MPB-së.
Qytetarët mund të udhëtojnë jashtë vendit me to, mirëpo në rast të aksidenteve, kompanitë e sigurimit nuk mbulojnë sigurimin e tyre nga dëmtimet apo fatkeqësitë.
(INA)/ NOA