English

Buxhuku: Jemi i vetmi vend në rajon pa falje fiskale

Tiranë, 6 mars, NOA – Konfindustria kërkon nga qeveria shqiptare që të mundësojë faljen fiskale për bizneset duke garantuar në këtë mënyrë dhe ecurinë e ekonominë. Në një deklaratë për mediat, Administratori i Konfindustria, Gjergj Buxhuku tha se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që s’ka bërë një hap të tillë.

“Konfindustria, mendon se është krejtësisht e papranueshme, që në një hapësirë kohore 20 vjeçare të ndryshimeve kaq të thella ekonomike, fiskale dhe institucionale, Shqipëria mbetet i vetmi vend në rajon, që nuk ka kyer asnjë falje fiskale”, tha Buxhuku.

Ai shprehet se se falja fiskale, duke patur parasysh veçoritë e ekonomisë kombëtare, në radhë të parë duhet t’i drejtohet qytetarëve shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

“Kthimi i tyre i përvitshëm me rastin e pushimeve verore 2011 është koha më e mirë e fillimit të faljes fiskale. Do të ishte me ndikim të ndjeshëm për mirë në ekonominë kombëtare hyrja e flukseve financiare nga jashtë në kushtet kur kërkesa për likuiditet nga biznesi është tejet e madhe dhe pasojat e krizës botërore janë ende mjaft të prekshme”, tha ai.

Buxhuku sjell në vëmendje dhe masat që kanë marrë vendet e tjera në rajon. Ai shprehet se pas faljes fiskale Greqia i ka çuar deri në 1.5 miliard euro të ardhura në buxhetin e shtetit pa përmendur dhjetëra miliardë euro të hyra në ekonominë greke.

“Edhe vendet e tjera konkurente të rajonit përveç Greqisë, po veprojne me shpejtesi, deri në veprime të dëshpëruara për tërheqjen e lukseve financiare ndërkombëtare drejt ekonomive të tyre. Kihet parasysh për sa më sipër nisma e qeverisë së Malit të Zi deri për shitjen e nënshtetësisë për qytetarët e huaj gjatë vitit 2010, që investojnë 500 mijë euro, faljen e përsëritur e të njëpasnjëshme fiskale të Qeverisë së Italisë, etj. Turqia gjithashtu nëpërmjet faljes fiskale të filluar në fillim të vitit 2011 ka futur në sistem mbi 25 miliard euro”, shprehet Buxhuku.

Duke vlerësuar nisjen e procesit të kryerjes së faljes fiskale te shprehur së fundmi edhe nga Kryeministri Z. Sali Berisha, Konfindustria vëren me shqetësim, se Qeveria Shqiptare me vonesat e saj të paarsyetuara ka shkaktuar praktikisht humbjen e mundësive të mëdha të përfitimeve nga kryerja e procesit në fjalë, si pasojë e veprimeve të ngjashme konkuruese nga vendet fqinje.

a.k/NOA

KOMENTE