"Në vitet 2006-2011, me rikthimin në qeverisje të nacionalistëve VMRO-istë, tani të drejtuar nga Nikola Gruevski, çështja shqiptare në Maqedoni filloi të shënojë rënie. Ka që thonë: “Gjendja e shqiptarëve në Maqedoni sot është po ajo e para 2001-shit” . Madje ca të tjerë shtojnë: “Sot është më keq se në kohën e komunizmit”. “As në komunizëm s’kemi qenë më keq” etj."
Nga Xhelal Zejneli
Në Jugosllavinë e Versajës, shqiptarët nuk njiheshin si komb. Politika kolonialiste e Beogradit dhe e Shkupit, mbi shqiptarët në Maqedoni vazhdoi edhe pas vitit 1945, përkundër demagogjisë politike dhe ideologjike të LKJ-së (Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë), e cila thoshte se ndërton politikën e barazisë së kombeve dhe të kombësive.
Maqedonasit nuk trashëgojnë shtetësi, as nga Mbretëria Jugosllave, e as nga RSFJ-ja. Ata, më parë se shtetësi, trashëgojnë aparatin shtetëror represiv, ideologjinë totalitariste, konceptet unitariste, paragjykimet antishqiptare, albanofobinë dhe projektet e Vasa Çubriloviqit për shfarosjen e shqiptarëve. Maqedonasit trashëgojnë një status kolonial ndaj shqiptarëve, ndonëse edhe vetë kanë qenë koloni serbe apo serbosllave. Në vitin 1991, faktori politik maqedonas synonte që statusin politik të shqiptarëve ta ruante të pandryshuar. Nën trysninë e faktorit shqiptar, pala maqedonase ishte e detyruar të bënte ca ndryshime. Me ndryshimet që pasuan, çështja shqiptare në Maqedoni, nuk lëvizi nga vendi. Ndryshimi ishte ky: Në monizëm shqiptarët ishin popull i shtypur, ndërsa në pluralizëm u shndërruan në popull të dorës së dytë, d.m.th. në pakicë.
Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, Shkupi i refuzoi kërkesat e shqiptarëve, historikisht të justifikueshme. Madje me kushtetutën maqedonase të kohës së pluralizmit politik, d.m.th. të kohës së Kiro Gligorovit, statusi i shqiptarëve në Maqedoni, krahasuar me atë të vitit 1974, shënoi degradim.
Qeveria maqedonase që drejtohej nga kryeministri Lubço Georgievski, për diskriminimin e shqiptarëve hiqej sikur e fajësonte të kaluarën. Në të vërtetë, vetë ai dhe partia e tij VMRO, ndoqën ndaj shqiptarëve po atë politikë restriktive, represive dhe diskriminuese - si në të kaluarën. As qeveria e tij pra, nuk tregoi kurrfarë gatishmërie për korrigjimin e padrejtësive të së kaluarës.
Çështja shqiptare shënoi lëvizje para, gjatë qeverisjes së viteve 2002-2005. Ishte kjo e para qeverisje e pas 2001-shit.
Në vitet 2006-2011, me rikthimin në qeverisje të nacionalistëve VMRO-istë, tani të drejtuar nga Nikola Gruevski, çështja shqiptare në Maqedoni filloi të shënojë rënie. Ka që thonë: “Gjendja e shqiptarëve në Maqedoni sot është po ajo e para 2001-shit” . Madje ca të tjerë shtojnë: “Sot është më keq se në kohën e komunizmit”. “As në komunizëm s’kemi qenë më keq” etj.
Me fjalë të tjera, çështja shqiptare në Maqedoni, në dy dhjetëvjeçarët e fundit, u përplas midis Skilës dhe Haribdës.
Kuptohet, çështja shqiptare në Maqedoni, nuk është punë qeverish dhe individësh, por e marrëveshjes historike ndërmjet dy popujve. Të drejtat e një populli nuk maten në shtratin e Prokrustit.
Është koha për riorganizimin e faktorit politik shqiptar në Maqedoni dhe e formimit të një fronti politik të përbashkët. Sot shqiptarët s’kanë nevojë për luftë. Mjafton që asnjë parti politike shqiptare të mos hyjë në qeveri, dhe Maqedonia të rrënohet. S’ka Maqedoni pa shqiptarët në qeveri.
Padrejtësitë ndaj shqiptarëve në Maqedoni, nuk janë padrejtësi të rastit. Ato janë përpunuar dhe janë përfshirë në projekte dhe në elaborate të cilat janë institucionalizuar dhe janë shndërruar në politikë shtetërore, në politikë kombëtare sllavo-maqedonase. Naçertanija (1844) e Ilija Garashaninit dhe vendimet e Traktatit të Shën Stefanit (1878) janë djepi dhe promotori i politikës antishqiptare. Sllavo-maqedonasit nuk janë veçse zbatues të verbët të projekteve serbo-bullgare ndaj shqiptarëve.
Ideologjitë retrograde, anakronike, johistorike dhe antidemokratike Shkupi tenton t’i mbajë në jetë edhe sot, në kohën e zhvillimeve demokratike dhe të integrimeve euro-atlantike. Çfarë paradoksi?!
Sot janë pjekur të gjitha kushtet për zgjidhjen e dejtë të çështjes shqiptare në Maqedoni, për arsye se:
- Faktori shqiptar në Maqedoni, përkundër politikës restriktive dhe diskriminuese, në saje të vitalitetit të pashembullt, në dy dekadat e fundit shënoi një zhvillim dinamik në shumë lëmenj: në fushën politike, ekonomiko-shoqërore dhe kulturore;
- Populli shqiptar në Maqedoni, në dy dekadat e fundit, përjetoi një shkallë të lartë të ndërgjegjësimit kombëtar;
- Populli shqiptar në Maqedoni, në dy dekadat e fundit, arriti një shkallë të lartë të kulturës politike;
- Shqiptarët në Maqedoni, njësoj si dhe mbarë kombi shqiptar në Ballkan, gjatë viteve të krizës në rajon, duke ndjekur një filozofi politike paqeruajtëse dhe konstruktive, dëshmuan një pjekuri politike të shkallës së lartë. Krejt kjo, në funksion të ruajtjes së paqes dhe të stabilitetit në rajon dhe të demokratizimit të tij;
- Çështja shqiptare në Maqedoni përjetoi fazën e emancipimit, të afirmimit, të aktualizimit dhe të ndërkombëtarizimit;
- Faktori kohë, d.m.th. kalimi i një periudhe prej njëzet vjetësh në pluralizëm politik dhe ideologjik e bëjnë të domosdoshëm trajtimin politik dhe jo policor të çështjes shqiptare në Maqedoni. Me fjalë të tjera, shqiptarët e kanë tejkaluar tanimë fazën e pritjes. Edhe sa duhet të presin shqiptarët që kauza e tyre të përfundojë me një epilog politik e juridik të qëndrueshëm dhe jo me një trajtim gjyqësor dhe epilog politik fiktiv?!
- Shqiptarët dhe maqedonasit, brenda dy dekadave të demokracisë parlamentare dhe të pluralizmit politik, tanimë e kanë tejkaluar fazën e përshtatjes, përkatësisht të adaptimit ndaj njëri-tjetrit;
- Kërkesat e shqiptarëve, duke qenë se janë shtruar në institucionet e shtetit dhe në instancat më të larta të tij, si p.sh. në organin ligjvënës, ato vetvetiu posedojnë legjitimitetin dhe justifikimin e tyre;
- Kërkesat e shqiptarëve, duke qenë se janë shtruar në mënyrë demokratike, të organizuar dhe në rrugën politike e institucionale, gëzojnë edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar;
- Kërkesat e shqiptarëve, përpos që janë historikisht të justifikueshme, për ta, ato kanë edhe rëndësi jetike dhe ekzistenciale.
- Kërkesat e shqiptarëve nuk janë të skajshme dhe radikale, por reale dhe racionale. Njohja e statusit të popullit shtetformues për shqiptarët në Maqedoni dhe krijimi i një Maqedonie me dy entitete nuk i vë në dyshim kufijtë ndërkombëtarë të saj.
Maqedonia hiqet si shtet demokratik. Por, karakterin e vet demokratik ajo duhet ta dëshmojë në praktikë. Zgjidhja përfundimtare e çështjes shqiptare në Maqedoni është testi i demokracisë së saj dhe dëshmi e demokratizimit të saj. Maqedonia pluraliste, shumëpartiake dhe me demokraci parlamentare, duhet të dallohet nga Maqedonia moniste, jodemokratike dhe e periudhës së vetëqeverisjes socialiste. Maqedonia e sotme pretendon të quhet demokratike. Zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare do të ishte vlera që do ta dallonte atë nga ajo moniste dhe jodemokratike. Kështu sepse zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare:
- është interes, sa i shqiptarëve aq edhe i maqedonasve;
- është në funksion të stabilitetit të Maqedonisë dhe të rajonit, si dhe të zhvillimit të proceseve demokratike dhe integruese në vend dhe në rajon;
- është në përputhje me tendencën historike;
- do ta konsolidonte, do ta forconte dhe do ta stabilizonte Maqedoninë përbrenda. Si e tillë, ajo do të ishte më e denjë për të qenë një anëtare e respektuar e BE-së dhe NATO-s.
Zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Maqedoni e lehtësojnë edhe zhvillimet dhe tendencat demokratike si dhe klima dhe integrimet demokratike në rajon. Me zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Maqedoni do të respektoheshin edhe parimet e demokracisë dhe vlerat e qytetërimit perëndimor.
In ultima linea, zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare në Maqedoni është imperativ i kohës. Moszgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare, e prolongon zhvillimin e proceseve demokratike në Maqedoni, tensionon marrëdhëniet ndër-etnike, e dekonsolidon dhe e destabilizon atë, parandalon zhvillimin ekonomik, vonon transformimin demokratik si dhe integrimin e saj në familjen e botës së qytetëruar.
Duke qenë se çështja shqiptare në Maqedoni është një dimension i çështjes kombëtare shqiptare, zgjidhja e saj ka rëndësi gjithëkombëtare. Zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare në Maqedoni, krahas Kosovës së pavarur dhe demokratike dhe Shqipërisë së konsoliduar dhe anëtare e NATO-s janë conditio sine qua non për faktorizimin e shqiptarëve në Ballkan dhe për krijimin e një ekuilibri politik të ri në rajon.
Duke qenë se shqiptarët janë përçues të natyrshëm të interesit perëndimor në rajon, zgjidhja integrale e çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan është interes i Uashingtonit dhe i Brukselit. Duke qenë se shqiptarët janë digë e parë e Evropës latine dhe gjermanike nga mësymjet sllavo-bizantine, bolshevike dhe rusomadhe është e vetëkuptueshme që shqiptarët të mbështeten prej aleatëve të tyre perëndimorë.
Janë shqiptarët ata që kontribuan në shembjen e Serbosllavisë, mini-perandori kjo e së keqes, e dhunës dhe e tmerrit, që mbante në këmbë Serbinë e madhe - këtë murtajë të zezë të Ballkanit. Janë shqiptarët ata që dhanë ndihmesën e vet dhe luajtën rolin historik në këtë fundshekull, për ta larguar nga rajoni i Ballkanit Rusinë cariste dhe bolshevike. Me fjalë të tjera, me shpërbërjen e Jugosllavisë së AVNOJ-it, rusët s’kishin ç’të kërkonin më në gadishullin që ringritej. Duke qenë se ishin shqiptarët ata të cilët kontribuan që SHBA-ja dhe demokracia të hyjnë në gadishullin grindavec do të ishte e natyrshme që faktori ndërkombëtar influent të mbështesë zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Maqedoni dhe krijimin e Maqedonisë dykombëshe, demokratike dhe euro-atlantike.
Shtetet fragjile dhe të brishta të rajonit – Në rajonin e ex-Jugosllavisë lindën ca shtete me stabilitet të brishtë, si: Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia dhe Mali i Zi. Sipas Beogradit, këtij grupi shtetesh të paqëndrueshme i takon edhe Kosova. Tre shtetet e sipërthëna, për arsye të ndryshme historike, etnike, kulturore, linguistike dhe konfesionale kanë stabilitet të paqëndrueshëm.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë për shembull, nga serbët dhe nga kroatët kontestohet identiteti i myslimanëve të cilët veten e quajnë boshnjakë, ndërsa gjuhën që e flasin – boshnjakishte. Sipas serbëve dhe kroatëve, këta myslimanë nuk janë veçse serbë apo kroatë të islamizuar, ndërsa gjuha që e flasin na qenkësh një serbishte apo kroatishte e ngarkuar me turqizma, arabizma dhe persizma.
Kur është fjala për malazeztë, sipas nacionalistëve serbë, s’ka komb malazias. Ata janë serbë, ndërsa gjuha që flasin nuk është veçse një dialekt i serbishtes. Kur Milo Gjukanoviqi e shpalli referendumin për pavarësinë e Malit të Zi, ishin votat e shqiptarëve dhe të myslimanëve ato që vendosën për shkëputjen e këtij vendi të vogël nga Serbia. Me fjalë të tjera, shoqëria malazeze është e ndarë më dysh: në një anë janë malazeztë, në anën tjetër – serbët apo malazeztë proserbë.
Çështja e sllavo-maqedonasve dihet. Këta mohohen si prej bullgarëve, ashtu edhe prej serbëve dhe grekëve. Vetë sllavo-maqedonasit ndahen në: proserbë dhe në probullgarë.
Në që të tre shtetet e sipërthëna është e implikuar Serbia, me ideologjinë e saj nacionaliste, hegjemoniste, ekspansioniste, etatiste, centraliste, unitariste, dominuese dhe kolonialiste.
Kosova nuk bën pjesë në grupin e vendeve me stabilitet të brishtë për arsye se mbi 90% e popullsisë së saj janë shqiptarë - popull ky me identitet të pakontestueshëm dhe me kapacitet të duhur shtetndërtues.
Të katër shtetet e lartpërmendura kaluan nëpër fazën e luftës. Rregullimi i brendshëm i Bosnjës dhe Hercegovinës është rezultat i luftës dhe i Marrëveshjes së Dejtonit. Pjesë e luftërave pushtuese të Serbisë ishte edhe Mali i Zi. Në vitin 2001 lufta shpërtheu edhe në Maqedoni. Rezultat i saj ishte Marrëveshja e Ohrit. Dhjetë vjet pas nënshkrimit të saj, u pa se ajo nuk arriti t’ua sigurojë shqiptarëve statusin e popullit shtetformues. Përse? Për arsye se Marrëveshja e Ohrit:
- Nuk u zbatua brenda afatit të parashikuar;
- Nuk u zbatua plotësisht dhe deri në fund;
- U interpretua një-anshëm;
- U shtrembërua përmbajtja e saj;
- U keqinterpretua;
- Në praktikë, nuk u zbatua me përpikëri;
- Përjetoi dhe pësoi kompromise;
- Vetë marrëveshja, në çastin e nënshkrimit, ishte një kompromis. Në fazat e mëtejme, ajo pësoi kompromise të tjera, duke u shndërruar kësisoj në kompromis të kompromiseve;
- Pala maqedonase, ndonëse nënshkruese e saj, asnjëherë nuk e njohu atë.
Në rrethana të tilla, shqiptarëve në Maqedoni s’u mbetet tjetër, pos të riorganizohen për të realizuar të drejtat e tyre legjitime.
Përse pra të mos njihet të paktën e drejta e natyrshme e tyre për komb në një Maqedoni dykombëshe?!
Kur mund faktori ndërkombëtar të krijojë dy shtete serbe në Ballkan, siç janë Serbia dhe Republika Sërpska, përse të mos formohen tre shtete shqiptare në rajon, si Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia dykombëshe, kur dihet se shqiptarët, në krahasim me sllavët, përkatësisht me myslimanët e BH-së, janë popull i lashtë, popull historik, me identitet të pakontestueshëm dhe popull autokton i Gadishullit. Meqë nuk mundësohet formimi i një shteti kombëtar shqiptar, atëherë le t’i lejohet këtij populli të krijojë tre të tillë.
Si është e mundur të njihet nga qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes kreatura fantomike në BH – Republika Sërpska, e cila ishte rezultat i agresionit dhe i gjenocidit serb, e të zvarritet njohja e subjektivitetit politik të shqiptarëve në Maqedoni, të cilët janë lëvduar sa e sa herë nga të huajt për pjekuri politike, për politikë konstruktive, paqeruajtëse dhe stabilizuese.
Çështja shqiptare në Maqedoni dhe modeli i konfederatës zvicerane - Përse të zvarritet krijimi i Maqedonisë binacionale, kur ekziston Zvicra me tre popuj shtetformues. Zvicra është republikë federative. Rregullimi federativ i ka kontribuar shumë zgjidhjes së drejtë të çështjes kombëtare në Zvicër, me tre grupe etnike kryesore: gjermanë 65%; francezë 18,4% dhe italianë 9,8%. Fisi i vogël – retoromanët ose romanshët, të cilët flasin një dialekt të posaçëm me prejardhje latine, paraqesin grupin e katërt etnik të Zvicrës me 0,8%. Të katër gjuhët janë gjuhë zyrtare të konfederatës. Fetë: katolikë 48%; protestantë 44%; hebrej 0,3%. (Të dhëna të vitit 2005).
Çështja shqiptare në Maqedoni dhe modeli i federatës belge - Përse zvarritet krijimi i Maqedonisë dykombëshe, shqiptaro-maqedonase, i Maqedonisë federale, kur shembull identik kemi në rastin e Belgjikës, e cila me ndryshimin e Kushtetutës më 1993 u bë shtet federal me tri bashkësi kulturore: flamanët, valonët, d.m.th. francezët dhe gjermanofonët dhe me tre rajone: Flandria, Valonia dhe kryeqyteti Bruksel. Grupet etnike: flamanë 56,3% në veri; valonë 32% në jug; gjermanë 0.6%; hebrej 0,3% (të dhëna të vitit 1977). Valonët, banorë të pjesës jugore dhe juglindore të Belgjikës, flasin frëngjisht me elemente holandeze dhe gjermane. Gjuhët: flamandishtja, frëngjishtja, gjermanishtja (të tria zyrtare).
Parlamenti federal i Belgjikës përbëhet prej dy dhomave, të zgjedhura për katër vjet: Dhoma e përfaqësuesve dhe Senati. Komunat në Belgjikë gëzojnë një vetëqeverisje vendore të gjerë. Me fjalë të tjera, komunat kanë një autonomi të gjerë. Në Belgjikë dikur, fliteshin dy gjuhë: gjuha flamane, e cila pothuajse është identike me gjuhën holandeze dhe gjuha frënge. Gjuha frënge deri në vitin 1914 ka qenë e vetmja gjuhë zyrtare. Shtypi, arsimi, radioja dhe mediumet në Belgjikë, ç’prej kohësh janë në dy gjuhë: në gjuhën frënge dhe në atë flamane. Në përbërje të qeverisë, në administratën e vendit dhe në gjyqësi janë bërë përpjekje gjithnjë e më konsekuente për sigurimin e përfaqësimit të barabartë të të dy grupeve etnike kryesore. Në sistemin e arsimit universitar u flak dominimi i mëparshëm i gjuhës frënge. Kërkesat për rregullimin federativ të vendit fituan gjithnjë më shumë ithtarë. Me reformat kushtetuese më 1967 dhe 1971 u harmonizuan marrëdhëniet ndërmjet bashkësive gjuhësore – flamanëve dhe valonëve, me çka u krijua baza për autonominë e tyre të gjerë në të gjitha fushat e jetës politike dhe ekonomike. Belgjika sot, pas shumë peripecishë ndëretnike është shtet federativ. Tendencat qendërikëse në të, përkundër sistemit federativ, sot janë mjaft të fuqishme.
E tillë duhet të jetë edhe Maqedonia. Kuptohet, rrethanat historike, gjeografike, ekonomike, kulturore dhe shkalla e zhvillimit ekonomik në Belgjikë, në një anë, dhe në Maqedoni, në anën tjetër - dallohen. Ndërmjet Belgjikës dhe Maqedonisë sa ka dallime, po aq ka edhe gjashmëri.
Moszgjidhja e çështjes shqiptare në Maqedoni mund t’i trimërojë një ditë forcat nacionaliste dhe radikale të shoqërisë shqiptare.
Moszgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare në Maqedoni mund ta destabilizojë Maqedoninë dhe ta rrezikojë paqen në rajon. Pikëpamja se zgjidhja “radikale” e çështjes shqiptare në Maqedoni mund t’i nxitë tendencat proserbe, përkatësisht probullgare në të, nxjerr në sipërfaqe të vërtetën evidente - krizën e identitetit të sllavo-maqedonasve.
Pikëpamja se zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare në Maqedoni mund të çelë kutinë e Pandorës dhe të destabilizojë vendin, nxjerr në sipërfaqe dilemën historike - identitetin e dyshimtë të bashkësisë sllavo-folëse në Maqedoni.
Në Maqedoni nuk ka tendenca proserbe, përkatësisht probullgare. Ka forca politike proserbe, përkatësisht probullgare që përbëjnë sistemin politik dhe juridik të saj, që ndodhen në shtet dhe që e drejtojnë atë, radhazi, herë njëra e herë tjetra. Në Maqedoni pra, më parë se tendenca proserbe, përkatësisht probullgare, ka forca proserbe, përkatësisht probullgare që janë dishepuj të bindur dhe epigonë të devotshëm të ideologjive garashaniniste dhe shënstefaniste. Forcat dhe nomenklaturat proserbe në Maqedoni janë ithtarë të ideologjisë serbomadhe të Garashaninit dhe të Projektit të tij. Ndërkaq forcat politike probullgare në Maqedoni, janë romantikët e vonuar të Bullgarisë së Shën-Stefanit.
Populli sllavo-maqedonas sot, ashtu si në të kaluarën, ballafaqohet me krizë identiteti. Rrjedhimisht, edhe ideologjia kombëtare e Maqedonisë vihet në dyshim ose më saktë ajo bëhet inekzistente. Për ta kapërcyer krizën nacionalistët sllavo-maqedonas lansojnë tezën e prejardhjes antike të tyre.
Pikërisht kjo politikë e padefinuar e Shkupit, herë pro Beogradit, e herë pro Sofjes, i determinon forcat politike shqiptare në Maqedoni ta rishqyrtojnë politikën paqesore dhe konstruktive, në thelb shterpe, të pafrytshme dhe joefektive të tyre.
Politika e faktorit politik shqiptar në Maqedoni, në vitet e fundit ka filluar t’i ngjajë gandizmit.
Çështja shqiptare në Maqedoni nuk mund të reduktohet në çështje kulturore. Çështja shqiptare në Maqedoni është çështje e territorit të pushtuar, është çështje e popullit të shtypur, të shfrytëzuar, të dëbuar, të shpërngulur, të akulturuar, të margjinalizuar dhe të getoizuar, që nga viti 1912 e deri në ditët tona.
Zgjidhja e çështjes shqiptare në Maqedoni parakupton:
- Krijimin e Maqedonisë federale;
- Njohjen e kombit shqiptar në Maqedoni;
- Krijimin e Maqedonisë dykombëshe,
- Krijimin e Maqedonisë me dy entitete;
- Të drejtën e popullit shqiptar për vetëvendosje;
Krijimi i Maqedonisë federale justifikohet: me argumentin historik, me argumentin e bashkëkohësisë dhe me argumentin hipotetik.
Në qoftë se zgjidhja e çështjes shqiptare në Maqedoni, d.m.th. federalizimi i Maqedonisë po e destabilizuaka Maqedoninë, atëherë, më parë se çështja shqiptare në Maqedoni, duhet të shtrohet çështja e Maqedonisë në Ballkan.
Zgjidhja e çështjes së Maqedonisë në rajon vetvetiu zgjidh edhe çështjen shqiptare në të, për arsye se bashkësia etnike, gjuhësore dhe kulturore shqiptare në Maqedoni është faktor historik dhe politik, është potencial ekonomik, kreativ, prodhues dhe riprodhues… që jeton si popullsi autoktone në trojet ilire.
Populli sllavo-maqedonas nuk mund të ndërtojë shtëpi në tokë të huaj. Në qoftë se paqja në Maqedoni dhe stabiliteti në të, vareshkan nga viktimizimi i interesave jetike dhe ekzistenciale të shqiptarëve, atëherë një kreaturë e tillë është më mirë të mos ekzistojë. Shqiptarët nuk mund të pranojnë vullnetarisht të sakrifikojnë interesin kombëtar, për hir të ekzistimit të kreaturave artificiale.
Pikëpamja se zgjidhja “radikale” e çështjes shqiptare në Maqedoni mund ta destabilizojë atë, është johistorike d.m.th. në kundërshti me tendencën historike.
Në jetën e brendshme politike të Maqedonisë, krahas fërkimeve dhe koalicioneve ndër-partiake, vend qendror duhet të zënë edhe raportet ndëretnike. Raportet midis dy komuniteteve, përveç dimensionit etnik, kanë edhe rrënjë të thella ekonomiko-shoqërore: shkalla e pabarabartë e zhvillimit të rajoneve, përbërja sociale, papunësia, problemet sociale, shkalla e emancipimit të shoqërive të të dy bashkësive etnike, përqindja e popullsisë rurale, përkatësisht urbane të të dy bashkësive etnike, përqindja e pjesëmarrjes së dy bashkësive etnike në krijimin e të ardhurave etj.
Në Maqedoni gjithnjë e më tepër do të forcohen tendencat që do të konsiderojnë se problemet akute në lëmin e marrëdhënieve ndërnacionale nuk do të mund të zgjidhen brenda suazave të unitarizmit tradicional.
Kërkesat për rregullim federativ një ditë do të fitojnë gjithnjë më shumë ithtarë. Forcat dominuese në Maqedoni, më kot përpiqen t’i kënaqin aspiratat kombëtare me masa gjysmake. As në këtë plan nuk është bërë ndonjë hap i rëndësishëm. Nuk janë duke u realizuar sa duhet as masat paliative.
Çështja shqiptare në Maqedoni nuk mund të zgjidhet as me zgjidhjet që ndodhen ndërmjet rregullimit federativ dhe atij unitar. Në realitetin politik të Maqedonisë duhet të paraqiten elementet e trajtimit të ri të problemit kombëtar.
Në strukturën politike të Maqedonisë duhet të formësohen qartas dy pjesë themelore vendim-marrëse: pjesa shqiptare dhe ajo maqedonase. Në përbërje të qeverisë, në administratën e vendit dhe në gjyqësi duhet të bëhen përpjekje më dinamike dhe gjithnjë më konsekuente për sigurimin e përfaqësimit plotësisht të barabartë të të dy grupeve etnike kryesore, duke zgjidhur sa më parë edhe çështjen e zyrtarizimit të gjuhës shqipe në tërë territorin e vendit; duke u kryer sa më parë decentralizimi i plotë i pushtetit qendror në mënyrë që komunat të kenë një vetëqeverisje vendore të gjerë, përkatësisht një autonomi të gjerë.
Në Maqedoni gjithnjë e më tepër po depërton vetëdija se në thelbin e trazirave ndërmjet dy bashkësive etnike ndodhen probleme të mëdha ekonomike strukturore.
Në Maqedoni duhet të zbatohen reforma kushtetuese të mirëfillta me qëllim të harmonizimit të marrëdhënieve ndërmjet bashkësive gjuhësore – shqiptarëve dhe maqedonasve, me çka do të krijohej baza për autonominë e tyre të gjerë në të gjitha fushat e jetës politike dhe ekonomike.
Ndryshimi radikal i kushtetutës maqedonase, në thelb duhet të jetë në funksion të ripërkufizimit të njëmendët të Maqedonisë dhe të krijimit të shtetit federativ dykëmbësh. Duhet të njihet kombi shqiptar në Maqedoni, duhet të njihet subjektiviteti politik i shqiptarëve, ndërsa gjuha shqipe duhet të zyrtarizohet në shkallë vendi. Mbartës i pushtetit ligjvënës duhet të jetë parlamenti dydhomësh i përbërë nga dhoma e përfaqësuesve dhe nga dhoma e qytetarëve. Në të parën do të duhej të zbatohej institucioni i demokracisë konsenzuale. Koha e dëshmoi se parimi i badinterit nuk u respektua sa duhet.
Raporti i forcave politike në parlamentin maqedonas sot bën të mundur ngritjen e nismës për ndryshime kushtetuese të njëmendëta. Çdo vonim në këtë drejtim do t’i kthehej Maqedonisë si bumerang. Sikundër iu kthye Serbisë.
Koncepti dyetnik dhe koncepti i shoqërisë binacionale në Maqedoni duhet të institucionalizohet.
Në Maqedoni kemi ballafaqimin e dy koncepteve:
- Koncepti unitarist - maqedonas, i cili është johistorik, antidemokratik dhe anakronik; dhe
- Koncepti federativ - shqiptar, i cili është në përputhje me tendencën historike.
Ishte Serbia ajo e cila pretendonte imponimin e konceptit unitarist në Jugosllavinë shumë-kombëshe. Epilogu dihet: shpërbërja me luftë e RSFJ-së, çintegrimi i Serbisë së madhe, rënia e saj në konflikt me faktorin ndërkombëtar.
Federalizimi i Maqedonisë nuk ka alternativë. Refuzimi i konceptit federativ në Maqedoni mund të çojë pashmangshëm në dezintegrimin e saj. Zgjidhjet gjysmake: Maqedonia unitare me koncept demokratik qytetar, nuk janë veçse mashtrim. Pikëpamja: Maqedonia është bashkësi e qytetarëve, synon t’i mbajë shqiptarët në pozitë të nënshtruar. Maqedonia, më parë se bashkësi e qytetarëve, është bashkësi e dy komuniteteve etnike, gjuhësore, kulturore, konfesionale, shqiptaro-maqedonase.
NOA