Tiranë, 6 mars 2011, NOA - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konstituuar pasditen e së dielës ngritjen e 66 Komisioneve Zonale Zgjedhore që do të administrojnë procesin elektoral të zgjedhjeve vendore të 8 majit. KZAZ-të u ngritën pas plotësimit të një vendi vakant në 66 Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve.
Komisionerët u përzgjodhën ndër kandidaturat e propozuara nga shoqëria civile, pas konkursit të shpallur në KQZ një javë më parë.
Me plotësimin e një vendi vakant, Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve janë tashmë funksionale, pasi kanë kuorumin e nevojshëm për të administruar procesin zgjedhor, sipas ligjit.
Në këtë kontekst 4 nga 7 anëtarët e këtyre komisioneve tashmë janë në detyrë, ndërsa 3 vende bosh pritet të plotësohen nga opozita, e cila ka refuzuar deri më tani të dërgojë propozimet e saj për komisionerë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
66 Komisionet e konstituuara Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve kanë zhvilluar pasditen e së dielës mbledhjen e tyre të parë gjatë të cilës kanë zgjedhur kryetarët e tyre.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të hënën do të konfirmojë emrat e 66 kryetarëve të KZAZ-ve të zgjedhur nga këto komisione në të gjithë Shqipërinë.
Sipas Kodit Zgjedhor në fuqi 66 Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve duhet të ishin ngritur brenda periudhës 23 janar- 8 shkurt, por Partia Socialiste dhe ajo e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut refuzuan të marrin pjesë në proces.
Nëse këto dy parti nuk do të plotësojnë edhe tre vendet e mbetura bosh, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të aplikojë të njëjtën procedurë për zëvendësimin e tyre me anëtarë të shoqërisë civile.
mit/NOA