Tripoli, 6 mars 2011, NOA – Një dëshmitar në betejën mes forcave kryengritëse dhe atyre qeveritare të Muammar Gheddafit në provincën Ben Jawad në Libi rrëfeu se forcat qeveritare po përdorin trupat e civilëve të paarmatosur si mburojë për të avancuar kundër rebelëve. Duke treguar vetëm emrin, dëshmitari 20-vjeçar Mohamed nga Darma tregoi se forcat qeveritare marrin edhe gra e fëmijë si mburojë gjatë tentativës për të marrë qytetet e kontrolluara nga kryengritësit libianë.
Sipas mediave botërore mësohet se nuk ndalen goditjet e artilerisë së rëndë dhe makinat me armë drejt kundërshtarëve të regjimit të Gheddafit në qytetin Mizurata.
Regjimi libian i kolonel Gheddafit vazhdon me këmbëngulje kundërofensivën ndaj rebelëve, ndërkohë që mësohet se në kryeqytetin Tripoli mbështetësit e kolonelit po manifestojnë nëpër rrugët e Tripolit.
Mbështetësit e regjimit manifestojnë duke thënë se do të ulen tarifat e importit të mallrave dhe taksat në vend, pas asaj që ata e cilësojnë si fitoren e madhe të regjimit mbi bandat terroriste.
Sipas dëshmitarëve në qytetin Mizurata forcat e të birit të Gheddafit po shkatërrojnë çdo gjë që u del përpara.
Ndërkohë mësohet se në qytetin e Ras Lanufit i bombarduar nga forcat ushtarake ajrore, protestuesit kanë njoftuar se rrëzuan një helikopter.
Papa Benedikti XVI ka bërë thirrje autoriteteve të Libisë që të thërrasë ndihmë dhe asistencë për personat e plagosur gjatë betejave.
Ndërsa mësohet se në kufi me Tunizinë është ngritur kampi i parë nën flamurin italian për refugjatët.
Në të njëjtën kohë në Jemen opozita i ka bërë thirrje qytetarëve për të intensifikuar protestat kundër Presidentit Saleh deri sa ai të japë dorëheqjen.
mit/NOA