English

Mal i Zi, shqiptarët: Tirana zyrtare të mbajë premtimin për kalimin me letërnjoftim

Ulqin, 6 mars 2011, NOA – Shqiptarët nga trevat e Malit të Zi i bëjne thirrje qeverisë shqiptare që t’u lejojë kalimin e kufirit përdrejt Shqipërisë me letërnjoftim. Duke iu referuar autoriteteve të Podgoricës të angazhuara për këtë regjim qarkullimi mes dy vendeve fqinje nënkryetari dhe deputeti i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu deklaroi se kjo parti parlamentare kërkon finalizimin e këtij premtimi nga qeveritë përkatëse.

Sipas tij kjo kërkesë është bërë dy vjet më parë gjatë vizitës së ish-ministrit të Punëve të Jshtme Ilir Meta në Malin e Zi.

Nimanbegu rikujtoi se meta kishte premtuar se kjo kërkesë do të vihej në jetë shumë shpejt, ndërkohë që sipas tij ende është një premtim i pambajtur.

Deputeti Nimanbegu thekson se ende nuk është marrë asnjë hap qoftë edhe për kalimin e studentëve në pikën kufitare Sukubinë/Muriqan.

Deputeti Genci Nimanbegu thotë se “Ministria e Jashtme e Malit të Zi e ka pohuar vënien në dijeni të palës shqiptare, porse bën me dije se ende nuk ka një përgjigje nga Qeveria e Shqipërisë”. Sipas deputetit të Forcës së Re Demokratike kalimi i kufirit me letërnjoftim për shqiptarët e zonave që shtrihen pranë kufirit me Shqipërinë, si ata nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Malësia, Plava dhe Gucia është një nevojë shumë e ngushtme.

Sipas tij kjo do të ndihmonte studentët në veçanti, të cilët për çdo ditë udhëtojnë në Shkodër për të ndjekur mësimet në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, dhe që deri më tani janë të detyruar të nxjerrin nga dy pasaporta në vit.

“Këto shpenzime e rëndojnë jashtë mase buxhetin familjar të studentëve edhe ashtu shumë të varfër, duke e ditur se zonat shqiptare në Malin e Zi janë më të varfërat në këtë shtet”, shton më tej Nimanbegu.

Në këtë kontekst ai rikujton se Kroacia e ka vendosur regjimin e kalimit me letërnjoftim pre dy vjetësh, andaj ai e cilësoi tejet absurd qëndrimin e Tiranës zyrtare.

“Zagrebi, pakicës së vet kroate në Malin e Zi, e cila është e koncentruar në gjirin e Bokës së Kotorrit, ua ka bërë të mundur kalimin e kufirit nga Mali i Zi në Kroaci vetëm me letërnjoftim”, cilësoi deputeti Nimanbegu.

Ai i bëri thirrje Tiranës zyrtare të ndjekë shembullin e Kroacisë, e cila për bashkëkombasit e vet që jetojnë në Mal të Zi jep edhe ndihmë financiare në realizimin e projekteve të rëndësishme në ruajtjen e qenies kombëtare, arsimore, kulturore, shkencore, artistike dhe letrare.

mit/NOA

KOMENTE