Tiranë, 6 mars 2011, NOA – Selia rozë ka akuzuar sot rishtas qeverinë për rritjen e çmimeve të ushqimeve, të cilat po prekin sot jo vetëm familjet e varfra duke na bërë një vend katër herë më të varfër se mesatarja në BE. Sekretarit të Këshillit Ekonomik të PS-së, Ervin Bushati tha se në këtë klimë të rritjes së çmimeve po përfitojnë vetëm qeveritarët, të cilët po kontrollojnë tregun me monopolet e tyre në kurriz të qytetarëve.
“Rritja e pandalshme e çmimeve të ushqimeve në treg, po prek sot në një masë të gjerë jetesën e familjeve normale dhe jo me vetëm familjet e varfëra. Bizneset e qeveritarëve kontrollojnë tregun dhe bëjnë para me monopolet që mbrojnë, ndërsa fatura patjetër që i mbetet dikujt tjetër: qytetarit’, tha Bushati.
Sipas tij shqiptarët janë dëmtuar rëndë nga ngritja e çmimeve në ushqime, në ilaçe, në energji, në karburante, duke kthyer në problem edhe të ushqyerit.
“Jemi katër herë më të varfër se mesatarja e BE-së (Eurostat)’, tha sekretari i këshillit Ekonomik të PS-së, duke theksuar se shkaktare e situatës së rënduar është qeveria.
Bushati bëri me dije se sipas studimit më të fundit të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar, Shqipëria renditet në vendin e 109/139 në botë përsa i përket monopoleve.
Sipas Bushatit fajin për rritjen e çmimeve e ka një dorë qeverisëse dhe jo mijëra aktivitete të ndershme private në treg.
Bushaati i cilësoi demagogji deklaratat kriminale të strukturave shtetërore për çmime nën kontroll, duke theksuar se qeveria është e vetmja fajtore për realitetin e shtrenjtë të shumicës se shqiptarëve.
mit/NOA