Athinë, 6 mars 2011, NOA – Shefi i opozitës shqiptare Edi Rama akuzoi sot nga kryeqyteti grek Athina se është qeveria e kryeministrit Sali Berisha shkaktarja e situatës së rënduar politike në vend dhe e krizës së gjithanshme që ka prekur Shqipërinë. Gjatë samitit të Partive Socialiste evropiane në Athinë, një samit i mbyllur sot, kryesocialisti Rama theksoi se shpresa e vetme për tejkalimin e kësaj krize jo vetëm politike është ardhja e socialistëve në pushtet.
Sipas tij zgjidhja e krizës është largimi i qeverisë nga pushteti.
Në vijim të deklaratës së tij mësohet se zoti Rama akuzoi qeverinë Berisha si autoren e vrasjes së katër demonstruesve të pafajshëm në demonstratën e opozitës në 21 janar.
Në këtët kontekst Rama bëri me dije se qeveria shqiptare po pengon hetimin e prokurorisë për zbardhjen e vrasjeve në 21 janar mu përpara selisë së kryeministrisë. Duke folur për zgjedhjet vendore, Kryetari i Partisë Socialiste shprehu shqetësimin se ashtu sikundër zgjedhjet e 28 qershorit të 2009-ës edhe ato vendore të 8 majit janë të rrezikuara për t’u vjedhur e manipuluar nga qeveria.
Sipas eurosocialistëve edhe kriza ekonomike që pllakosi Europën erdhi për shkak të keqqeverisjes së të djathtëve.
Sipas eurosocialistëve e majta evropiane është zgjidhja e duhur për tejkalimin e krizës.
mit/NOA