English

Sekuestrohet punishtja ku prodhoheshin mina me celular

Tiranë, 6 mars 2011, NOA – Policia e Tiranës ka zbuluar një minipunishte për prodhimin e mjeteve të shpërthimit me telekomandë përmes celularit. Zbulimi i minipunishtes u mundësua në kuadër të operacionit policor të koduar “Celulari”, i finalizuar me sukses përgjatë orëve të vona të së shtunës me identifikimin dhe sekuestrimin e një punishteje të vogël, e cila sipas policisë shërbente për prodhimin e minave me telekomandë.

Unifotmat blu të hetimit të krimit bënë të ditur se falë hetimit u identifikuan dhe arrestuan 38-vjeçari Artan Fredi Hasani, dhe 28-vjeçari Endri Agron Hametaj, që të dy banues në Tiranë, ky i fundit i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje.

Policia gjatë hetimeve doli në përfundimin se këta shtetas në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, për të cilët për arsye hetimi nuk mund të publikohen gjeneralitet, dyshohen se janë autorë të disa ngjarjeve të rënda të ndodhura në Tiranë, të cilët përmes përdorimit dhe montimit të mekanizmit të lëndës eksplozive, nëpërmjet aparatit celular, realizonin shpërthimin në distancë me telekomandë.

Artan Hasani dhe Endri Hametaj dyshohet se realizonin edhe përdorimin e minave dhe bombave në mënyrë artizanale.

Sipas policisë ata janë të dyshuarit potencialë edhe të disa atentateve të vendosjes së lëndës eksplozive me telekomandë, të ndodhura më parë në Tiranë. Pas një kontrolli të imtësishëm të realizuar në banesën e shtetasit Endri Hametaj, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një mini-punishte që gjendet në afërsi të rrugës së “Elbasanit” në Tiranë, e cila shërbente për prodhimin e minave me telekomandë përmes aparatëve celularë.

Në lidhje me këtë hetim, masa e arrestit ndaj shtetasit Artan Hasani, u mor sepse dyshohet se më datë 03 shkurt 2011 ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë bashkëpunëtorin e tij, shtetasin Endri Hametaj, ngjarje për të cilën po punohet për të sqaruar motivet dhe rrethanat.

Gjithashtu policia bën me dije se në minipushten që gjendej në një apartament në afërsi të rrugës së “Elbasanit” në Tiranë, u sekuestruan një sasi e konsiderueshme lënde eksplozive dhe pajisjesh elektronike si dy armë zjarri pistoletë tip Berete, të prodhimeve të huaja; mbajtëse fishekësh me 14 copë fishekë të kalibrit 9 mm; 35 copë fishekë të modeleve të ndryshme; dy krëhër pistolete, me kalibër 9 mm; një Slinciator që përdoret për armët pistoleta; 20 copë kapsolla elektro-detonatore; 3 kg lëndë eksplozive; 8 copë bateri 1.5 voltëshe; 22 aparate celular së bashku me karta Sim; një sasi parash prej 5000 eurosh; Pese ora dore të llojeve të ndryshme; një kompjuteri i markës IBM; 17 disqe CD me pamje filmike të ndryshme; një paisje e llojit AVI së bashku me një mekanizëm metalikë me lupë; pranga hekri, dhe tabelë ndalim qarkullimi; 22 karta sim të Kompanive telefonike Vodafon, AMC e Eagle Mobile; 16 bateri të lidhura me fije teli të kapsollave detonatore; pinca, kacavida, dylbi, aparat fotografik; pajisje elektronike në formë radio me antenë; pulte elektronike të komandimit në distancë; pajisje elektronike për ndërprerje valë telefonike si dhe thika metalike.

Policia e Tiranës po heton zbardhjen dhe dokumentimin e të gjitha ngjarjeve me lëndë shpërthyese e eksplozive të ndodhura më parë në Tiranë, apo qytete të tjera të Shqipërisë.

Ndaj të arrestuarve Artan Hasani dhe Endri Hametaj rëndojnë akuzat për konsumim të veprave penale të vrasjes me dashje, trafikimit të armëve dhe municioneve si dhe veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

mit/NOA

KOMENTE