E diel, 6 mars 2011, NOA- Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës së tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës takuan përfaqësues të lartë të Departamentit të Shtetit.
Tahiri dhe Hoxhaj takuan zëvendëssekretarin e Shtetit, James Steinberg, zëvendësndihmësin kryesor të sekretarit të Shtetit, Thomas Countryman, Jennifer Brush, drejtoreshë e Zyrës për Evropën Jugore e Qendrore dhe Paul Pfeuffer, nga zyra për çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore.
Gjatë takimit me Steinberg, Tahiri tha se, “Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për qeverisje të mirë dhe reforma të thella për zhvillimin e Kosovës në planin e brendshëm e të jashtëm, në të mirë të interesave të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve, si dhe angazhohet seriozisht për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare”.
Nga ana e tij Steinberg rikonfirmoi qëndrimin amerikan se pavarësia e Kosovës është çështje e përfunduar dhe një realitet i ri në Ballkan.
Delegacioni Kosovar zhvilloi takime të veçanta edhe me kongresmenët Eliot Engel dhe Dan Rohrabacher, të cilët i siguruan ata për mbështetje të vazhdueshme në ndërtimin e shtetit njohjen e pavarësisë së saj.
a.y/NOA