English

Tirana e humbur

“Qytetarët në Tiranë kanë nevojë për një debat të gjatë dhe jo një fushatë të thjeshtë politike për t’u bindur se përse duhet të votojnë ndryshe pas 11 vitesh. Por ende, thjesht për arsye politike, mazhoranca nuk po e çertifikon kandidatin e saj. Batutat e kryeminsitrit në mbledhjen e qeverisë, një lloj zyrtarizimi i Bashës ky, përsëri më shumë u morën me kundërshtarin se sa me vizionin për kryeqytetin”.

Nga Armand Shkullaku

Tirana, kryeqyteti i shqiptarëve, prej kohësh e ka humbur shkëlqimin. Entuziazmi dhe energjia pozitive e disa viteve më parë janë harruar. Ndjenja e një qyteti të madh e të ri në moshë që po ngrihej, tashmë është shuar.

Zhgënjimi, dëshpërimi dhe një lloj zbrazëtie shihet thuajse me sy në të gjithë Tiranën. Sheshi Skëndërbej i shndërruar në kantier, rrugë të bllokuara, kaos dhe trafik i skëterrshëm, hapësira që gjithnjë vinë duke u ngushtuar... Pas vrullit të ndryshimeve që nisën në vitin 2000, gjithçka duket e lënë pas dore. Qyteti, ashtu si bojrat e zbehura të ndërtesave të vjetra, po shkon me shpejtësi drejt rrënimit dhe askush nuk ka ndërmend të vërë dorë mbi të.

Zgjedhjet e ardhshme lokale janë dëshmia më e mirë për këtë. Për Tiranën, vendin ku sot jeton i përqëndruar numri më i madh i shqiptarëve, askush prej atyre që pretendojnë ta administrojnë atë nuk kanë paraqitur ndonjë plan.

Madje më keq akoma, kur duhen vetëm dy muaj nga zgjedhjet, dy forcat kryesore politike ende nuk kanë shpallur zyrtarisht kandidatët e tyre. E Tirana do të kishte patur nevojë për një fushatë dhe debat publik shumë më të gjatë se sa ditët që kanë mbetur. Kandidatët prej kohësh do të duhej të ishin shpallur dhe të kishin shpalosur programin e tyre katër vjeçar për kryeqytetin. Në pikën ku ai është katandisur, debati për të ardhmen e tij do të duhej të përfshinte për muaj me radhë specialistët dhe opinionin publik për të përcaktuar zgjidhjen më të mirë që do të mund ta shpëtonte atë. Por, mesa duket, këtë herë Tiranën e humbëm.

Tirana është e humbur, sepse qartas është kthyer në peng të konfliktit politik PD- PS. Askush prej pretendetëve nuk po e sheh atë si një hapësirë të përbashkët ku duhet të jetojnë më së miri afro 1 milion njerëz, por si një trofe lufte që do të përcaktojë fatin e një beteje më të madhe.

Kjo që po ndodh këtë herë nuk ka ngjarë në vitin 2000 kur Edi Rama kandidonte përballë Besnik Mustafait dhe ku projekti për të ardhmen e kryeqytetit ishte në qendër të debateve. Nuk ka ngjarë as në 2003-shin kur Ngjela sfidoi Ramën me ide dhe alternativa konkrete për ndryshimin e Tiranës, e madje as në 2007-ën, kur megjithë politizimin prej ankthit të kreut të ri të PS për të hyrë në zgjedhje, punët, përurimet, projektet, etj ishin boshti i fushatës elektorale. Madje, si asnjëherë tjetër, 60 ditë përpara zgjedhjeve ende nuk dihen emrat e kandidatëve, merre me mend pastaj programet e tyre.

Edi Rama, peng i përjetshëm i anktheve dhe dilemave të veta, ende nuk e di se çfarë duhet të bëjë: të kandidojë ose jo. Sigurisht jo në funksion të administrimit të kryeqytetit, por të konjukturave politike në PS dhe të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kandidimin për Tiranën, për rrjedhojë edhe rezultatin zgjedhor, Rama e sheh ekskluzivisht në plan politik dhe që pse jo do të përcaktonte të ardhmen e tij në krye të së majtës. Prandaj dhe nuk ngurroi që nga Fieri, pa iu dridhur zëri, t’i çonte një mesazh kryeqytetasve se as nga këto zgjedhje të mos prisnin ndonjë ndryshim në Tiranë. Ato, sipas Ramës, do të jenë zgjedhje politike për të larguar Sali Berishën. Pra, nuk mjafton fakti që prej sa është zgjedhur kryetar i PS, (6 vjet) Edi Rama ka braktisur Tiranën për t’iu përkushtuar një tjetër projekti politik, por edhe mandatin e ardhshëm ai do ta përdorë po në të njëjtin funksion. Për këtë, sigurisht u takon votuesve të kryeqytetit ta gjykojnë kryetarin e tyre 11- vjeçar.

Nga ana tjetër edhe mazhoranca, e mposhtur tre herë radhazi në Tiranë, duket se më shumë ka patur shqetësim emrin e kandidatit rival se sa një projekt të madh për të ndryshuar kryeqytetin. Vonesa në shpalljen e emrit të Lulëzim Bashës nuk ka shpjegim tjetër. Kandidati i mazhorancës do të duhej të ishte zyrtarizuar me kohë, pavarësisht llogarive të Ramës.

Qytetarët në Tiranë kanë nevojë për një debat të gjatë dhe jo një fushatë të thjeshtë politike për t’u bindur se përse duhet të votojnë ndryshe pas 11 vitesh. Por ende, thjesht për arsye politike, mazhoranca nuk po e çertifikon kandidatin e saj. Batutat e kryeminsitrit në mbledhjen e qeverisë, një lloj zyrtarizimi i Bashës ky, përsëri më shumë u morën me kundërshtarin se sa me vizionin për kryeqytetin. Po kështu, një parrullë e vendosur në një ceremoni të ministrit Basha për sistemin e kamerave, “për një Tiranë të sigurtë europiane” ishte një tjetër shenjë e dobët për të startuar një garë kaq shumë të rëndësishme. Edhe në kampin e shumicës, më tepër se sa shqetësimi për të ardhmen e kryeqytetit, lexohet kujdesi për zgjedhjet parlamentare.

Prandaj edhe në mandatin e ardhshëm 4 vjeçar Tirana duket e humbur. Fatkeqësisht, më 8 maj, gjithçka është përgatitur të rrjedhë në funksion të zgjedhjeve parlamentare dhe jo të përmirësimit të jetesës në kryeqytet. Situata konfiktuale politike e ka marrë peng administrimin e kryeqytetit duke na detyruar të shkojmë në kutitë e votimit jo për Tiranën, por për Berishën dhe Edi Ramën.

NOA

KOMENTE