Prishtinë, 6 mars 2011, NOA – Ndërkohë që Kosova pritet të nisë bisedimet teknike me Serbinë në 8 mars, Lëvizja Vetëvendosja ka përkujtuar sot dëshmorët që lanë jetën për mbrojtjen e Kosovës dhe për bashkimin e saj me Shqipërinë. Vetëvendosja theksoi se janë pikërisht ata që dhanë jetën për Kosovën që duhet ta prijnë popullin e saj drejt së ardhmes dhe idealit për bashkim.
“Dëshmorët respektohet vetëm duke e vazhduar rrugën e tyre – nën betimin dhe idealet e tyre”, thanë sot gjatë përkujtimit aktivistët e Vetëvendosjes.
Kjo lëvizje akuzoi qeveritarët e Kosovës se po hyjnë në bisedime me Serbinë duke i drejtuar sytë kah Serbia dhe jo Shqipëria, duke tradhtuar kështu idealin e dëshmorëve të Kosovës.
Sipas Vetëvendosjes në betimin e ushtarit të UÇK-së, nuk përmendet askund negocimi por përmendet lufta, që nënkupton punën drejt realizimit të qëllimit tonë kombëtar.
Vetëvendosja akuzoi autoritetet kosovare se ndërkohë që në 5,6, dhe 7 mars bëjnë homazhe për dëshmorët, në 8 mars i fillojnë negociatat me Serbinë me ata kundër të cilëve lanë jetën mijëra kosovarë.
“Ideali i tyre ishte çlirimi i plotë, ishte Kosova sovrane që ka të drejtë për t’iu bashkuar Shqipërisë. Sot dëshmori nderohet duke i’u përmbajtur këtij ideali; duke punuar për Kosovën sovrane e kundër negociatave me Serbinë, të cilat e kanë ndarë vendin tonë dhe do ta thellojnë këtë ndarje edhe më tutje”, nënvizojnë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosja.
Krerët e kësaj lëvizjeje opozitare me qeverinë e Kosovës bëjnë thirrje se ekzistenca e Kosovës është meritë e atyre që dhanë jetën për pavarësinë e saj, që ishte dhe ideali i lirisë dhe luftës së UÇK-së.
mit/NOA