Tiranë, 7 mars, NOA - Gratë ambasadore dhe shefet e misioneve në Shqipëri, theksojnë rolin kyç të grave në zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe bëjnë thirrje për një pjesëmarrje të gjerë të grave në zgjedhjet e ardhshme vendore që do të zhvillohen në maj të vitit 2011.
“Këtë vit, gratë në Shqipëri dhe në të gjithë globin do të festojnë më 8 mars 100-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të njohur kontributet e mëdha që kanë dhënë gratë gjatë këtyre 100 viteve për zhvillimin global. Kjo është gjithashtu një ditë për mobilizimin e mbështetjes për sfidat që kanë mbetur në të gjitha shoqëritë për arritjen e barazisë gjinore”, citon deklarata e përbashkët e tyre.
Duke shtuar se Shqipëria ka bërë hapa të mëdha në fuqizimin e grave nëpërmjet ngritjes së një kuadri të fortë legjislativ, duke përfshirë legjislacionin e rishikuar për barazinë gjinore dhe Kodin Zgjedhor të rishikuar, i cili parashikon një kuotë prej 30% për të gjitha postet e zgjedhura dhe të emëruara. Sfida tashmë mbetet në zbatimin e plotë të ligjit.
“Ne e nxisim qeverinë që të marrë më shumë përgjegjësi për arritjen e barazisë gjinore, duke përfshirë këtu edhe rritjen e alokimeve në buxhet dhe kapaciteteve profesionale të institucioneve në këtë drejtim.
Një fushë në të cilën zbatimi ka mbetur pas, lidhet me pjesëmarrjen e grave në politikë dhe në jetën publike. Pavarësisht kuotës së vendosur, pjesëmarrja e grave si profesioniste në poste të larta vendimmarrjeje dhe në politikë, veçanërisht në nivel vendor,mbetet e dobët. Një studim i fundit i kryer nga agjencia e OKB-së UN Uomen në Shqipëri tregon se partitë politike në nivel vendor nuk kishin plane të qarta mbi mënyrën e zbatimit të e kuotës, mbi mënyrën e uljes së numrit të votimeve familjare apo mbi mënyrën se si t'i drejtoheshin grave si një grup i veçantë interesi. Aksesi i barabartë i grave në vendim-marrje dhe në arenën politike në nivel vendor dhe qendror, është një element thelbësor që siguron integrim më të madh të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, citon ky grup i grave”, pohojnë mw pas gratw ambasadore.
Pwr tw përfunduar se “zgjedhjet e ardhshme vendore që janë caktuar për në datën 8 maj janë një mundësi e rëndësishme për ta rregulluar këtë mangësi. Ne inkurajojmë fuqimisht të gjitha partitë politike që të zbatojnë kuotën prej 30% me qëllim që t'i japin një kuptim të drejtave të grave për të votuar dhe për të marrë pjesë në drejtimin profesional të çështjeve publike pa u diskriminuar. Ne gjithashtu bëjmë thirrje për një monitorim efektiv të zbatimit të kuotës për postet e emëruara me qëllim që Shqipëria të përmbushë angazhimet e saj kombëtare dhe ndërkombëtare në këtë drejtim”.
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ky grup u bën thirrje të gjitha partive politike, organizatave të shoqërisë civile, sektorit privat dhe medias që të tregohen aktivë për të avancuar barazinë gjinore në Shqipëri.
n.e/NOA