English

As të mbetemi në vend e as të tërhiqemi, por të ecim përpara

Prishtinë, 7 mars 2011, NOA - ...më tepër se një çështje shumë të rëndësishme po e trajtojmë si një çështje shumë të ngutshme.... Kjo bën që për hir të kohës të sakrifikohet përmbajtja. Bisedimet Kosovë-Serbi nuk janë çështje thjesht ekzekutive, bisedimet janë çështje politike....

Nga Agim Kuleta

Kosova, për fat të keq, çdo ditë e më tepër është duke përparuar në rrugën e deformimit të demokracisë. Kjo përbën rast në shumë fusha, por ai që është më i rëndi ka të bëjë pikërisht në raport me këtë institucion ku jemi sot. Ajo që kemi parë për një kohë të gjatë është defaktorizimi i vazhdueshëm i organit më përfaqësues të popullit dhe përqendrimi i pushtetit në organin që çdo ditë e më tepër po përfaqëson interesat e individëve. Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një skelet, i zhveshur pothuajse nga çdo rol, përveç atij elementar. Me një viktimizim të tillë e nisi jetën edhe në këtë legjislaturë. Ai u anashkalua plotësisht edhe për një çështje fondamentale për interesin e qytetarëve, të cilët edhe i përfaqëson - për çështjen e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Bisedimet Kosovë-Serbi nuk janë çështje thjesht ekzekutive që hyjnë në kuadër të kompetencave të Qeverisë. Bisedimet janë çështje politike. Madje, edhe atëherë kur flitet vetëm për çështje teknike e praktike, vendimi për të biseduar me Serbinë është vendim politik. Prandaj, rrjedhimisht, është çështje për të cilën duhet të vendosë Kuvendi i Kosovës, si organi më përfaqësues i qytetarëve.

Këtu po shohim një garë rezolutash PËR dhe KUNDËR bisedimeve. Jam i bindur se në fund të kësaj beteje rezolutash humbës do të dalë qytetari. Kjo është kështu sepse po e bëjmë një gabim qysh në fillim: çështjen e bisedimeve, më tepër se një çështje shumë të rëndësishme po e trajtojmë si një çështje shumë të ngutshme. Kjo bën që për hir të kohës të sakrifikohet përmbajtja.

Është shumë lehtë që pa pasur agjendë e pa përgatitur platformë, përgjigjja për bisedimet të jetë PO. Po ashtu është shumë lehtë që pa u përpjekur për agjendë e pa përgatitur platformë, përgjigjja për bisedime të jetë JO. Por a janë përgjigjet e tilla të merituara për bashkëkombësit tanë që jetojnë në gjendje të mjerueshme në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, e që nëse vazhdojmë t’i injorojmë shumë shpejt nuk do të mund të jetojnë as kështu, sepse nga presioni do të zhvendosen nga atje krejtësisht? A janë përgjigjet e tilla të merituara për mbi 10.000 qytetarë të veriut të Mitrovicës që mbi 10 vjet më parë janë dëbuar me dhunë nga pronat e tyre? A janë përgjigjet e tilla të merituara për mbi 2 milion qytetarë të Kosovës që i vuajnë përditë pasojat e pengesave ekonomike e politike që vijnë si rezultat i moszgjidhjes së çështjes shqiptaro-serbe?

Ne, si deputetë, nuk do të duhej ta ngujonim veten midis dy zgjedhjeve skajshmërisht të kundërta. Ne do të duhej të pajtoheshim për një zgjedhje më racionale. Në vend ndaljes në vend, nga njëra anë, dhe në vend të tërheqjes prapa, në anën tjetër, ne sot do të duhej të vendosnim për ecjen përpara.

Duke pasur parasysh këtë ne, si deputetë të Lëvizjes për Bashkim, konsiderojmë se sot nuk kemi nevojë për ngutje. Nuk kemi nevojë për një rezolutë PËR apo për një tjetër KUNDËR bisedimeve. Sot kemi nevojë për një rezolutë që do ta ndërpriste procesin e bisedimeve të nisur në mënyrë arbitrare dhe do t’i linte kohë të mjaftueshme Kuvendit për të debatuar dhe për ta hartuar një platformë për bisedimet e ardhshme. Për një rezolutë të tillë do të ishin të mjaftueshme vetëm tri pika:

Qeveria e Kosovës t’i ndërpresë të gjitha veprimet e mëtutjeshme në drejtim të bisedimeve Kosovë-Serbi; Kuvendi i Kosovës në afat sa më të shkurtër, pas një debati në mes të forcave politike, do ta hartojë Platformën politike për bisedimet e mundshme Kosovë-Serbi; Kuvendi i Kosovës në kohën e duhur do ta autorizojë Qeverinë e Kosovës për zbatimin e Platformës së Kuvendit për bisedimet Kosovë-Serbi.

Këto pika që ne i propozojmë si përmbajtje të rezolutës, janë të ndërtuara mbi premisa që shumë lehtë mund të jenë konsensuale për të gjithë ne, si deputetë. Përmes kësaj rezolute do të ndërpritej ky proces i dëmshëm dhe do të hapej mundësia për debat të mirëfilltë e pa presionin e kohës.

Prandaj, në këtë rast, lus Kryetarin e Kuvendit që ta ketë parasysh dhe t’ua japë mundësinë deputetëve të shprehen fillimisht për këtë propozim.

Zonja dhe zotërinj,

Me besimin e patundur në vullnetin tuaj të sinqertë për ta bërë më të mirën për vendin, ju ftoj ta ndjeni mbi supe peshën e vërtetë të situatës në të cilën ndodhemi. Të mos u ikim përgjegjësive ne që jemi këtu brenda, në mënyrë që të mos u rëndohen vuajtjet atyre që janë jashtë. T’i marrim përgjegjësi dhe t’i marrim seriozisht ato.

*Fjala e plotë e Deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Agim Kuleta

KOMENTE