Tiranë, 7 mars, NOA – Autoriteti i Konkurrencës dhe Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura (ERRU), nënshkruan sot një Memorandum Mirëkuptimi me qëllim rritjen e bashkëpunimit ndër-institucional për lehtësimin e kryerjes së funksioneve përkatëse të këtyre institucioneve.
Ky memorandum u nënshkrua nga Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Milo dhe Kryetari i Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura, Avni Dervishi
Ata theksuan se rritja e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve është e nevojshme duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm të politikës së konkurrencës në promovimin e zhvillimit efektiv në sektorin e furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit te ujerave te ndotura.
Kjo për arsye se sektori i furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit te ujerave te ndotura ka pësuar zhvillime të qenësishme vitet e fundit në kuadrin e reformimit thelbësor që synon një sektor financiarisht të vetë-qëndrueshëm që ofron shërbime të një cilësie të lartë, por të përballueshme, për të gjithë konsumatorët në Shqipëri.
Autoriteti dhe ERRU kanë përgjegjësinë e mbrojtjes së operatorëve dhe konsumatorëve nga veprimet abuzive në sektorin e furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura.
Më konkretisht, palët angazhohen që të përcaktojnë fushat dhe mënyrat e bashkëpunimit për vendosjen dhe garantimin e zbatimit të rregullave për të nxitur konkurrencën aty ku është e mundur në operatorët e sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura.
Në këtë drejtim, Autoriteti bashkëpunon për nxitjen e konkurrencës duke dhënë mendimet e tij për aktet ligjore dhe nënligjore qe vendosin rregulla sjellje në këtë sektor. Të gjitha projektet e akteve nënligjore të nxjerra prej palëve, që lidhen me operatorët e këtij sektori dhe që referojnë vendosjen e të drejtave ekskluzive ose të drejtave të veçanta, në zona të caktuara, për operatorë të caktuar, do të konsultohen paraprakisht me Autoritetin, me qëllim funksionimin normal të sektorit në përputhje me objektivat e detyrimeve ligjore.
ERRU gjatë ushtrimit të funksioneve dhe kompetencave të përcaktuara në ligj, do të veprojë në mënyrë të tillë, që aty ku është e mundur dhe efikase, të nxisë konkurrencën. Të dy palët do të publikojnë dhe/ose shkëmbejnë zyrtarisht të dhëna dhe informacione, në masën që lejojnë dhe detyrojnë ligjet ku bazohet ky memorandum, duke respektuar në rast nevoje karakterin e tyre konfidencial.
n.e/NOA