Tiranë, 7 mars, NOA - Kryeministri Berisha priti sot në një takim zv/presidenten e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan (NDI), Shari K. Brajan dhe drejtorin rajonal për Evropën Qëndrore dhe Lindore të këtij Instituti, Robert Benxhamin.
Berisha u shprehu përfaqësuesve të NDI-së, vlerësimet për punën dhe kontributin 15 vjeçar që ky organizëm ka ofruar vazhdimisht nëpërmjet programeve të ndryshme për zhvillimin e shoqërisë shqiptare si dhe rolin e saj në fusha themelore të demokratizimit të vendit.
Nga ana e saj, Brajan shprehu kënaqësinë për zhvillimin e madh dhe progresin e arritur në Shqipëri gjatë viteve të fundit, në fusha të rëndësishme për vendin.
Berisha më pas e njohu zonjën Brajan me zhvillimet e fundit në vend, pas përpjekjes së dhunshme të opozitës në 21 janar, për përmbysjen e qeverisë dhe institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike.
Kryeministri theksoi qëndrimin e tij të palëkundur dhe koherent të shprehur që pas sulmit mbi selinë e Kryeministrisë, që një hetim profesional, gjithëpërfshirës, i paanshëm dhe i besueshëm është themelor për kapërcimin e situatës së krijuar dhe për të ardhmen e shtetit ligjor.
Ai shprehu shqetësimin që mbas më shumë se 1 muaj, ky hetim nuk po përfshin të gjithë aktorët e 21 Janarit, mbi të gjitha aktorët që projektuan dhe organizuan tentativën për përmbysjen anti-kushtetuese të organeve të zgjedhura me votë.
Ai gjithashtu shprehu shqetësimin se nxjerrja e vazhdueshme në media e dokumenteve të procesit hetimor po dëmton në mënyrë të rëndë jo vetëm profesionalizmin, por dhe mundësinë për një hetim të plotë e të paanshëm.
Në takim, Kryeministri u ndal tek reformat e qeverisë shqiptare që nga viti 2005, në luftën kundër korrupsionit dhe për mirëqeverisjen e vendit, të cilat kanë rritur transparencën dhe efikasitetin e qeverisjes.
Ai vlerësoi lart punën e njësisë së përbashkët hetimore të udhëhequr nga prokuroria në goditjen e korrupsionit, por nënvizoi se mos penalizimi, nga ana e prokurorisë, i korrupsionit të qeverisë socialiste apo të të zgjedhurve të saj vendor, si dhe mbyllja e mbi 40 çështje të ngritura ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, është një politikë penale, e cila dëmton efikasitetin dhe besueshmërinë e luftës ndaj korrupsionit.
Kurse në lidhje me rëndësinë e zgjedhjeve për pushtetin vendor të datës 8 maj, Berisha angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të garantuar transparencë maksimale dhe standardet më të larta si dhe një proces zgjedhor në përputhje me angazhimet e OSBE-së. Nga ana e saj, Brajan shprehu angazhimin e NDI për të ofruar në vazhdimësi, kontributin dhe bashkëpunimin, në mbështetje të të gjitha proceseve demokratike në vend.
n.e/NOA