Tiranë, 7 mars 2011, NOA – Shefi i opozitës dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama e bashkëshortja e tij Linda, i kanë uruar mësuesit për festën e 7 marsit me një vizitë në shtëpinë e historianit Kristo Frashëri. Përmes urimit për këtë historian të shquar kryebashkiaku përcolli urimet për të gjithë mësuesit dhe respektin për punën e çmuar të mësuesve shqiptarë në edukimin e brezave të rinj.
Duke e uruar historianin Kristo Frashëri, zoti Rama theksoi se “Sot, universitetet janë kthyer në fabrika diplomash të pavlera, koston e së cilave do ta mbartë një gjeneratë e tërë”.
“Ndërkohë, gjëja që është akoma më e trishtueshme, është se investimi real në dije po shkon duke shteruar dhe po shkojnë duke shteruar edhe burimet njerëzore që ne mund të vëmë në dispozicion të dijes, për shkak të një atmosfere dhe të një mjedisi jashtëzakonisht jo të përshtatshëm që u është krijuar dhe mësuesve dhe pedagogëve në shkolla, në universitete, për shkak të një fryme që është më zi se se kolektivizmi, pa asnjë lloj merite, pa asnjë lloj konkurence, pa asnjë lloj sistemi të vërtetë vlerash, ku vlera e vetme është vlera materiale e propagandistike, i tha kryebashkiaku Rama historianit.
Edhe historiani duket se është shprehur i njëmend me shefin e opozitës sa i përket krizës politike në vend duke thënë se “kjo është një periudhë kur të gjithë njerëzit janë me gojë hapur dhe presin ç’do të ndodhë e kur do të kapërcehet kjo krizë, kjo gjendje e padurueshme”.
“Edhe një popull, - thonë filozofët, kur e ka perspektivën e zymtë nuk ecën dot. Shpresa është vrarë dhe duhet ta ngjallim shpresën. Nëse nuk e ringjallim shpresën, ky vend ka marrë fund, po të kesh shpresë, vendi do ringjallet, do rimëkëmbet”, rikujtoi historiani Frashëri.
Ndërkohë, bashkëshortja e Kryetarit të Partisë Socialiste, Linda Rama duke i uruar jetë të gjatë e cilësoi figurën e Kristo Frashërit një thesar për kombin.
“Ju urojmë jetë shumë të gjatë, jetë të shëndetshme, që të keni mundësi që gjithçka keni, t’ua lini, siç ua keni lënë brezave, që të kenë mundësi t’i kthehen dhe t’i rikthehen në vite. Ky komb është shumë borxhli me ju dhe njerëz si ju i vijnë rrallë kombit dhe ju jeni një thesar për kombin”, u shpreh zonja e kryebashkiakut.
mit/NOA