Tiranë, 7 mars 2011, NOA- Gjatë një interviste të Zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto, për Radio Televizionit e Kosovës ai shpreh qëndrimet e Shqipërisë lidhur me çështjet që shqetësojnë Kosovën si dhe mënyrën se si e shohin vendet e tjera atë.
Një vëmendje e rëndësishme i kushtohet edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, si deh efekteve të raportit të Dick Martit.
Zoti Haxhinasto, mirë se keni ardhur në këtë intervistë. Desha t’ju pyes fillimisht lidhur me ngjarjen e fundit, përkatësisht konstituimin e institucioneve të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit. Si e keni parë ju këtë proces në shtetin e ri të Kosovës ?
E kam ndjekur me shumë vëmendje dhe përfitoj nga rasti të rishpreh kënaqësinë time që ky proces demokratik u kurorëzua në mënyrë të suksesshme me konstituimin e të gjithë institucioneve kushtetuese te dala nga zgjedhjet e dhjetorit te vitit te kaluar. Tani sigurisht që është e rëndësishme që gjithë institucionet e zgjedhura të angazhohen për të përballuar sfidat madhore që ka Kosova, në planin e brendshëm: për zhvillimin e ekonomisë, punësimin e qytetarëve, çështje të tjera sociale, të integrimit të komuniteteve në Kosovë, por edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me negociatat me Serbinë, apo edhe me procesin e rritjes së njohjeve të pavarësisë së shtetit të Kosovës.
Ne fakt objektiv kryesor qe ka parashtruar klasa politike para vetes dhe institucioneve te reja është konsolidimi i pavarësisë së shtetit te ri, por ky është objektiv dhe i diplomacisë shqiptare, apo jo zoti ministër?
Është absolutisht një prioritet i rëndësishëm i politikës sonë të jashtme që të ndihmojmë shtetin e ri të Kosovës në konsolidimin e tij, në rritjen e numrit të njohjeve por jo vetëm kaq. Shteti i ri i Kosovës duhet ndihmuar për t’u integruar në të gjithë nismat rajonale, për t’u anëtarësuar në të gjithë institucionet rajonale dhe ndërkombëtare, të natyrës së sigurisë apo të bashkëpunimit ekonomik.
Ndërkohë homologu juaj Enver Hoxhaj në një nga mbledhjet e para të qeverisë së Kosovës ka parashtruar një axhendë mjaft dinamike për sa i përket lobimit për njohje të reja. Në ç’koordinata veprimi është Prishtina dhe Tirana në këtë plan.
Ne kemi qenë në një koordinim shumë të ngushtë, besoj kështu do të jetë edhe në të ardhmen, unë shpreh kënaqësinë për emërimin e zotit Hoxhaj në krye të diplomacisë, pasi kam njohje të hershme me të. Sigurisht kemi një sërë çështjesh që duhet t’i realizojmë ti koordinojmë më mirë me qëllim që të arrijmë në një dinamikë të re në njohjet e pavarësisë së Kosovës. Unë jam shumë i kënaqur dhe më vijnë sinjale shumë pozitive për njohjen së shpejti nga shtete të ndryshme për pavarësinë e Kosovës.
Këto njohje do të ndodhin para se te fillojë dialogu Prishtinë Beograd apo do të jenë të mëvonshme?
Procesi i njohjeve nuk është shumë i lidhur me procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbise, janë axhenda të caktuara që shtete të ndryshme i planifikojmë ne sipas mënyrës së tyre kushtetuese dhe nuk kanë lidhje fare me dialogun politik.
Zoti Ministër si e keni parë dinamiken e bisedimeve të pritshme Prishtinë Beograd tashmë kur Bashkimi Evropian ka vendosur ndërmjetës zotin Kuper, ndërsa në krye të delegacionit të Kosovës do të jetë zëvendëskryeministrja Edita Tahiri. Si e shikoni ju këtë fillim dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit në kohën kur ka mjaft hamendësime për këto qoftë në Prishtinë qoftë edhe këtu në Tiranë?
Mendoj se dialogu është një proces i rëndësishëm i cili duhet të fokusohet para së gjithash në çështjet e rëndësisë së përbashkët të qytetarëve të të dy shteteve. Sigurisht duhet të fokusohet në çështje teknike dhe konkrete, dhe unë aty e shikoj vlerën e këtij dialogu. Mund të jenë hedhur ide se në këtë dialog mund të zgjidhen edhe çështje të statusit, por është shumë e qartë për të gjithë ne, për të gjithë partnerët ndërkombëtarë, për SHBA-në për Bashkimin Evropian, që çështja e pavarësisë së Kosovës është një çështje e mbyllur tashmë. Ajo që ngelet është të zgjidhen ato çështje që qëndrojnë varur midis qytetareve të dy vendeve për qëllime, e theksoj edhe një herë, për qëllime praktike, për çështje konkrete.
Megjithatë në Bruksel ka patur zëra se mund të bisedohet për të gjitha çështjet përfshirë dhe statusin, ndoshta dhe prej faktit që ka disa vende te Bashkimit Evropian qe nuk e kanë njohur ende Kosovën. Ndërkohë që Uashingtoni ka qenë i prerë se çështja e statusit dhe integritetit territorial të Kosovës nuk mund të kenë kthim prapa. Si i shikoni ju këto divergjenca që ekzistojnë aktualisht midis Brukselit dhe Uashingtonit në ditët e fillimit të bisedimeve Prishtinë-Beograd?
Nuk ka rezultuar asnjë divergjencë deri tani midis SHBA-së dhe Bashkimit Evropian për çështjen e statusit të Kosovës, kjo është një çështje e mbyllur, një çështje e cila nuk mund të rimerret në asnjë lloj formati bisedimesh midis dy vendeve.
Zoti ministër, jemi në prag të nisjes së këtyre bisedimeve, pasi pikërisht me 8 mars pritet të riformatohet axhenda mes Prishtinës dhe Beogradit ne Bruksel. Por pikërisht tani ndodh dhe një ngjarje tragjike në Frankufrt. Janë ngjarje që ndodhin kur ka zhvillime me interes për Kosovën por edhe për Shqipërinë, siç ishte dhe rasti me raportin e Dick Martit dy ditë pas zgjedhjeve në Kosovë apo zhvillimet ne Shqipëri më 21 janar. A mendoni se performanca e faktorit shqiptar po cenohet pasi po goditet pikërisht në momente të rëndësishme?
Mendoj se rasti i Frankfurtit që përmendi ju është një rast që nuk duhet të kishte ndodhur. Unë përfitoj nga rasti për të shprehur ngushëllimet e mia për familjet e ushtarakëve te vrare, por gjithashtu dua te them se rasti sado fatkeq që është nuk ka të bëjë aspak me popullin e Kosovës me përfaqësuesit e saj, me ndjenjat që ata kanë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por me një vlerësim më të gjerë ndaj civilizimit, ndaj adoptimit të vlerave qytetare, ndaj vlerave evropiane të komunikimit e të jetesës. Është një rast i veçuar do të thoja, një rast i cili nuk përfaqëson aspak frymën e tolerancës dhe aspiratën e popullit të Kosovës për të qenë një shtet evropian, për të qënë një shtet i cili ka përqafuar vlerat me themelore te civilizimit te qytetarisë, që janë paqja, toleranca e bashkëjetesa. Për sa i takon asaj qe ju thoni që ka një seri ngjarjesh me imazh te caktuar për shqiptarët, mendoj se është e vërtetë qe ka pasur një amplifikim, do të thoja të qëllimshëm dhe keqdashës nga disa media ndërkombëtare të këtyre ngjarjeve, apo raporteve, siç është raporti i Dick Martit. Mendoj se fllucka që është ngritur edhe në mediat ndërkombëtare për sa i takon virtyteve, vlerave të shqiptarëve në rajon, do të eleminohet shume shpejt. Pretendimet e ngritura edhe në raportin e Dick Martit do të bien shumë shpejt. Mënyra më e mirë për t’i hedhur ato poshtë, është të krijojmë mundësinë ashtu siç jemi duke e krijuar çdo ditë, që pretendimet të hetohen, deri në fundin e tyre dhe të mos ketë asnjë pikëpyetje për shqiptarët, të tregohet se ata janë qytetarë evropianë, qytetarë të cilët kanë vlerat më themelore të bashkëjetesës të tolerancës dhe të paqes dhe te respektit, jo vetëm midis etnisë së tyre, por me gjithë kombet dhe etnitë e tjera.
Ka një përshtypje në Kosovë që zhvillimet më të fundit në Shqipëri në 21 janar, paksa e kanë sfumuar dhe zhvendosur vëmendjen e Tiranës zyrtare në proceset të cilat po kalon Kosova? Këto zhvillime në fakt, ç’pasoja mund të sjellin për faktorin shqiptar në tërësi, por edhe për shtetin shqiptar i cili është në një axhendë dinamike për sa i takon integrimit në Bashkimin Evropian . Si i keni parë ju ato?
Sigurisht ngjarjet e 21 janarit kanë vendosur një pikëpyetje të madhe në shpejtësinë e procesit të integrimit të Shqipërisë, pasi çdo lloj ngjarje politike që ndodh mund ta ndalojë procesin e integrimit evropian. Mendoj se më e rëndësishme është që 21 janari e ka penalizuar përsëri politikën, dhe ka krijuar një konflikt dhe një ndarje më të madhe midis forcave kryesore politike në maxhorancë dhe në opozite, dhe mendoj se kjo nuk krijon kushtet e nevojshme që të adresohen ato 12 prioritete, plotësimi i të cilave do ta bëjë Shqipërinë një vend kandidat në Bashkimin Evropian. Është e domosdoshme që për realizimin e këtyre 12 prioriteteve të kemi një situate normale politike në vend, që do të thotë: politika të realizohet brenda institucioneve dhe institucionet të realizojnë detyrat e tyre kushtetuese. Dhe keto janë mendoj dy parimet ose dy standardet e domosdoshme që duhet të realizojmë, pra institucionet të kryejnë detyrat e tyre kushtetuese dhe të respektohet kushtetuta. Nëse debati politik, aktiviteti politik realizohet si i tillë, brenda institucioneve, duke pasur parasysh përgjegjësitë kushtetuese që ka edhe opozita në këtë proces, mendoj se do te kemi nje dinamike të re, një shpejtësi të mirë, të pranueshme, të procesit te integrimit te vendit. Një moment shumë i mirë për procesin e integrimit janë zgjedhjet e 8 majit. Eshtë e domosdoshme që opozita të angazhohet në këtë proces ligjor, të ushtroje detyrat e saj dhe përgjegjësitë e saj politike jo vetëm ndaj qytetarëve, por edhe përgjegjësitë kushtetuese për të qenë edhe ajo administratore e procesit të zgjedhjeve. Sigurisht politika nuk i shërben vetvetes, politika i shërben qytetarëve, dhe qytetaret kërkojnë që në zgjedhjet e ardhshme të zgjidhen përfaqësuesit më të mirë, ato përfaqësues që i shërbejnë atyre me cilësinë më të lartë në komunat dhe bashkitë që ka vendi.
Zoti ministër, kohët e fundit për shkak të situatave që janë krijuar këtu në Shqipëri por edhe për pakënaqësitë nga faktorë të ndryshëm politikë në Kosovë, për sa i përket konsolidimit të institucioneve të reja, ka pasur zëra nga bota akademike dhe shoqëria civile, për unifikim të faktorit shqiptar në rajon, pikërisht për shkak të sfidave që ndodhen përpara shoqërisë shqiptare. Këto zëra të botës akademike dhe shoqërisë civile, sa konsiderohen nga Tirana zyrtare, dhe ç’mund të bëjë Tirana zyrtare për të koordinuar veprimet me gjithë faktorin shqiptar në rajon?
Mendoj se ka shumë mënyra për të koordinuar faktorin shqiptar në rajon. Mënyra më solide dhe më efikase, është që gjithë faktori shqiptar në rajon të përqafoje integrimin evropian si një proces i të ardhmes së rajonit, dhe në këtë proces, secili faktor, ne secilin shtet ku jetojnë, qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, por edhe në Serbi, - ne Serbinë e jugut e kam fjalën- të kuptojë që kontributi i tyre në shtetin ku ata jetojnë, në integrimin e procesit evropian është kontributi më i madh që ata japin në unifikimin e faktorit shqiptar në rajon. Sigurisht që mënyra të tjera komunikimi janë ato që tashme ekzistojnë, që janë komunikimi i vazhdueshëm, shkëmbimet e shumta midis shoqërive tona, midis përfaqësuesve politike, midis shoqërive civile, midis përfaqësuesve kulturore, pra e gjithë tërësia e komunikimit shumë intensiv që ekziston midis faktorit shqiptar në gjithë rajonin e Ballkanit.
(RTK)/ NOA