English

KMDLNj: Vrasja e Leutrim Musliut me motive etnike

Prishtinë, 7 mars 2011, NOA - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Kosovë dënoi sot fuqimisht vrasjen e 14-vjeçarit, Leutrim Musliu nga Fshati Uglare i Gjilanit. KMDLNj kritikoi organet e sigurisë se prej neglizhencës së tyre po cënohet rëndë siguria e qytetarëve.

Sipas informacioneve që posedon KMDLNj del se kjo vrasje është kryer në pusi gjë që sipas KMDLnj dëshmon pasigurinë në Kosovë.

“Vrasja e ndodhur në këto rrethana del se ka motive etnike. Një gjë e tillë duhet të jetë alarm për institucionet e Kosovës”, thekson ky këshill.

“Moszbardhja e këtij rasti dhe rasteve të tjera është një sinjal i keq për sigurinë dhe rendin në Kosovë. Krimet e pandriçuara po krijojnë një atmosferë të pasigurisë dhe frikës ndër qytetarë”, tha KMDLNj.

KMDLNj i kërkoi organeve kompetente që të zbardhin vrasjen e adoleshentit dhe të nxjerrin përpara drejtësisë përgjegjësit.

mit/NOA

KOMENTE