English

Negociata për integrimin e Serbisë?

Prishtinë, 7 mars 2011, NOA – Gatishmëria për bisedime nënkupton gatishmëri për kompromis. Lehtësia me të cilën Qeveria e Kosovës i ka pranuar këto bisedime me Serbinë pa kurrfarë kushtesh, paralajmëron lehtësinë me të cilën ajo do ta pranojë kompromisin në fund. Këto negociata njëmend kanë të bëjnë me integrimet evropiane, por ama me integrimin e Serbisë në BE dhe jo me integrimin e Kosovës në BE…...

Nga Albin Kurti

Nuk është problemi që bisedimet e paralajmëruara nuk kanë agjendë, por që agjenda e bisedimeve nuk është publike. Nuk do të ishte e mundur të thuhej që bisedimet nisin nesër, pra me 8 mars, sikur të mos dihej fare agjenda. Agjenda dihet, por ne nuk e dimë atë, ne si qytetarë dhe si deputetë.

Axhenda e bisedimeve po mbahet fshehtë në mënyrë që bisedimet të nisin mbarë përkundër agjendës së mbrapshtë. Agjenda e këtyre bisedimeve i sillet rrotull 6 Pikëshit famëkeq të Ban Ki-moon-it prandaj edhe mbahet e fshehtë. Këto bisedime e cenojnë vetë qenien tonë sepse Kosova është edhe palë në bisedime por edhe temë e bisedimeve. Bisedimet u pranuan pa u biseduar fare për to. Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri u emërua si kryenegociatore pa vendim zyrtar a institucional për bisedime dhe pa debat publik e parlamentar. Për çështje si këto jo vetëm që duhet të vendos Kuvendi por është shumë normale që të organizohet edhe referendum gjithëpopullor.

Gatishmëria për bisedime nënkupton gatishmëri për kompromis. Lehtësia me të cilën Qeveria e Kosovës i ka pranuar këto bisedime me Serbinë pa kurrfarë kushtesh, paralajmëron lehtësinë me të cilën ajo do ta pranojë kompromisin në fund. Për çkado që Qeveria e Kosovës do të bisedojë me Serbinë ajo do të pranojë që ajo gjë nuk i takon Kosovës, që ajo çështje është e diskutueshme. Me këto bisedime nuk do të gjejmë përgjigje për pyetjet, por çështje të brendshme të Kosovës do të vihen në pikëpyetje. Pavarësia formale e Kosovës njëmend na solli shumë pak si shtet, por me këto bisedime pa agjendë publike dhe me një kryenegociatore pa platformë për negociata gjithçka është e rrezikuar. Agjenda përcakton se çka është e negociueshme dhe çka është e panegociueshme. Duke e mbajtur agjendën të fshehtë, Qeveria e Kosovës na e ka dëshmuar që e vetmja gjë e panegociueshme për të janë vetë negociatat.

Me këtë mënyrë të të bërit politikë, Republika e Kosovës nuk është më Republikë parlamentare por është Republikë qeveritare. E, nëse politika e Republikës vazhdon të mbetet pa Parlament atëherë edhe qeveria e shtetit shpejt do të mbetet pa Republikë.

Këta qeveritarë kanë deklaruar se do ta përfshijnë edhe opozitën e shoqërinë civile në bisedime me Serbinë. Së pari, ata po orvaten që ta shmangin vëmendjen nga bisedimet e pranuara te biseduesit ende të papranuar. Dhe, së dyti, ata duan ta mbajnë pushtetin për vete e ta ndajnë fajin me gjithë të tjerët. Problemi me këto bisedime nuk është te përfaqësimi i pamjaftueshëm në bisedime por te pronësia e pamundshme mbi këto bisedime.

Ne s’jemi të lirë që të bisedojmë lirshëm me Serbinë. Serbia është shtet me ushtri e polici të veten dhe me institucione shtetërore që janë sovrane pa instanca ndërkombëtare mbi kokën e tyre. Kurse në Kosovë është KFOR-i mbi FSK-në, është EULEX-i mbi policinë e Kosovës dhe janë Pieter Feithi me dy kapelat e tij e ambasadori amerikan Dell pa kapelë përmbi të gjitha institucionet e Kosovës. Neve jo vetëm që nuk na njeh e pranon Serbia por edhe ndërmjetësi, pra Bashkimi Evropian, e njeh Serbinë që s’na njeh neve dhe nuk na njeh neve porsi Serbia. Kjo pabarazi drastike është padrejtësi elementare që doemos është reflektuar edhe në agjendën e fshehtë dhe s’ka se si sjell rezultate të mira për neve. Përderisa ne ndodhemi nën protektorat ndërkombëtar Serbia vazhdimisht do të kërkojë negociata me Kosovën. Sepse ajo fiton koncesione të reja dhe në fund s’ka nevojë ta pranojë tërësinë e atyre koncesioneve pasi që e din që sundimi ndërkombëtar në Kosovë do t’ia imponojë Kosovës zbatimin e njëanshëm të atyre koncesioneve.

Të gjithë e mbani mend që Serbia e dëshiroi decentralizimin etnik në Kosovë, të drejtën e vetos për serbët në këtë Kuvend për të gjitha ligjet për çështjet jetike, shuarjen e TMK-së, pjesëmarrjen e Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë, zonat e veçanta për trashëgiminë kulturore ortodokse që i nënshtrohet serbizimit etj.etj. por ajo nuk e pranoi tërësinë e këtyre koncesioneve që u quajt Paketa e Ahtisaarit pasi që e dinte që Qeveria e Kosovës duke qenë përfundi sundimit ndërkombëtar do t’i implementojë të gjitha këto. Duke qenë josovranë, në bisedime me Serbinë vetëm sa zvogëlohet perspektiva për bërjen tonë sovranë.

Këto negociata njëmend kanë të bëjnë me integrimet evropiane, por ama me integrimin e Serbisë në BE dhe jo me integrimin e Kosovës në BE. Këto bisedime nuk kontribuojnë fare në integrimin e Kosovës në BE. Përkundrazi, me këto bisedime ne bëhemi si Bosnja të cilën BE-ja nuk e pranon pikërisht pse është tepër e decentralizuar për të qenë sovrane. Dhe, për shkak se Serbia do të hyjë para nesh në BE, ajo do të na kushtëzojë pastaj ngjashëm siç bën Greqia me Maqedoninë.

Kryeministri tha sot që në fund do të kemi njohje reciproke me Serbinë, mirëpo konsolidimi dhe cilësia e shtetit tonë përbrenda është shumë më e rëndësishme sesa njohja nga jashtë. Mos harroni që Milosheviqi e njohu dhe pranoi Bosnjen jashtë Serbisë vetëm atëherë kur Alija Izetbegoviqi e njohu dhe pranoi Serbinë brenda Bosnjes në formën e republikës serbe atje. Plani i Ahtisaarit e ka hedhur farën e bosnjëzimit të Kosovës të cilën tash po e shpie më tutje kjo qeveri përmes bisedimeve me Serbinë.

Në fillim të shekullit XX Serbia e pat okupuar Kosovën kurse në fund të shekullin XX Serbia kreu gjenocid ndaj popullit të Kosovës. Përgjatë këtij shekulli populli ynë aq shumë u shtyp e u diskriminua kurse pasuritë e vendit tonë aq egër u shfrytëzuan saqë mund të themi se pikërisht shqiptarët janë e vërteta e Serbisë. Mirëpo, në takimin e nesërm në Bruksel, znj. Edita Tahiri do ta maskojë këtë të vërtetë. Ajo do të mundësojë që Serbia të duket ashtu siç nuk është – të duket e mirë me shqiptarët (ndaj të cilëve nuk lëshon asnjë shans që t’ua nxijë jetën) dhe të fitojë poena për fqinjësinë e mirë karshi Kosovës (brenda së cilës i financon dhe dirigjon strukturat e saj ilegale).

Milosheviçi, Koshtunica dhe Tadiçi kanë dallime kur shihen nga Brukseli, Nju Jorku apo Uashingtoni, por jo edhe kur shihen nga Prishtina. Ata i kanë qëllimet e njëjta, kurse mjetet iu ndryshojnë kryesisht vetëm në masën në të cilën rrethanat kanë ndryshuar. Serbia i ka shumë borxh Kosovës dhe shqiptarëve. Borxhi që na e ka Serbia duhet të jetë kusht për bisedimet me të. Bisedimet pa kushte me Serbinë janë falje ndaj saj pa na kërkuar ajo njëherë falje neve.

Kosovës nuk kanë se çfarë i duhen këto bisedime. Këto bisedime po i nevojiten kryeministrit Thaçi për pushtet e jo Kosovës si shtet. Politikanët e korruptuar e të shantazhuar si puna e Thaçit po i pranojnë negociatat në mënyrë që korrupsioni dhe shantazhi i tyre të bëhet të negociueshëm. Në kohën kur kemi gjithnjë e më pak bukë e vende pune dhe gjithnjë e më shumë premtime që nuk i rrisin pagat por çmimet, qeveria ka vendosur tinëz për spektaklin nga Brukseli të cilin do ta paguajmë shumë shtrenjtë. Neve na duhen bisedime me Tiranën e jo me Beogradin.

Ne duhet të koordinohemi si komb dhe t’i harmonizojmë hapat strategjikë që të bëhemi komplementarë e jo të jemi konkurrentë. Ne duhet t’i kthehemi vetes: ne duhet ta lidhim sistemin energjetik të Kosovës me atë të Shqipërisë; ne duhet t’i përafrojmë sistemet fiskale drejt integrimit në një zonë tatimore dhe doganore etj.etj. Ta realizojmë shtetndërtimin si sovranitet dhe zhvillimin ekonomik si prodhim. Asnjëra prej këtyre nuk bëhen nga bisedimet me Serbinë. Secila prej këtyre bëhet shumë më kollaj përmes bisedimeve me Shqipërinë.

* Fjalimi i Albin Kurtit në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me çështjen e bisedimeve të kosovës me Serbinë

KOMENTE