Shkup, 7 mars 2011, NOA- Kryetari i Parlamentit maqedonas, Trajko Veljanovski ditën e sotme ka thirrur një takim tjetër bashkërendues me partitë parlamentare.
Në takimin e thirrur nga kryeparlamentari edhe sot pritet mospjesëmarrja e partive të opozitës.
Nga ana e tij, kryeparlamentari Veljanovski theksoi se pret që opozita të marrë pjesë në këtë takim bashkërendues duke ndërprerë bojkotin e saj.
Shërbimet e legjislativit njoftuan në se në takimin e sotëm do të shqyrtohen detajet rreth zgjedhjes së kryetari të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e gjendjes së listave zgjedhore, shqyrtimin e ndryshimeve të Kodit zgjedhor si dhe pika të tjera që mund të përfshihen në rendin e ditës.
Në këtë takim deri tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen vetëm partitë e maxhorancës.
Partia më e madhe opozitare LSDM kërkon që pa zgjidhjen e kërkesave të saj nuk do të kthehet në Parlament dhe do të bojkotojë zgjedhjet.
Kjo parti kërkon zhbllokimin e llogarive bankare të televizionit A1 dhe tre gazetave ditore të lidhura me biznesmenin e paraburgosur Velija Ramkovski, pastrimin e listave zgjedhore, ndarjen proporcionale të mjeteve të buxhetit për reklamim tek mediat, ndryshimet e Kodit zgjedhor, etj. Demokracia e Re bëri të ditur mbrëmë nëpërmjet liderit të saj, Imer Selmani se do të kthehet në Parlament vetëm në seancën e shpërndarjes së tij, ndërsa PDSH është shprehur e gatshme për një dialog serioz politik ku do të përfshihen të gjitha palët relevante deri në zgjedhjet e parakohshme.
(INA)/ NOA