Tiranë, 7 mars 2011, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi uroi të gjithë mësueset dhe mësuesit me rastin e Festës së tyre, 7 Marsit.
Gjatë urimit të tij ai u shpreh, “Të dashura mësuese e mësues! Kam kënaqësinë dhe privilegjin t’ju përshëndes të gjithëve në këtë ditë të shënuar të Festës së mësuesit, në përvjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe. Të gjithë ne përulemi me respektin më të thellë për punën e vyer që mësuesit shqiptarë kanë realizuar ndër breza, për frytet e saj të paçmuara si dhe për sakrificat dhe përkushtimin që ju sot i dhuroni misionit tuaj sa fisnik dhe të vlefshëm”.
Më tej ai theksoi mbështetjen dhe admirimin për veprën e tyre emancipuese, humaniste e europianiste, kur arsimimi dhe e ardhmja e fëmijëve sipas Presidentit, varen nga vlerat tradicionale të mëkuara me aq dashuri nga mësuesit në shkollë dhe nga prindërit në familje. “Rilindasi ynë i madh, Sami Frashri me formulën e tij e ka përcaktuar më së miri këtë rol: “Mendja e një kombi është arsimi, zemra e tij, morali i përgjithshëm i tij” dhe kjo thënie lapidare përcaktoi rrugën që duhej ndjekur nga arsimtarët si dhe trajektoren e historisë”, u shpreh kreu i shtetit. Një urim të veçantë ai e drejtoi për mësuesit e vjetër, flokëbardhët, të cilët sipas tij edhe pse në pension, do të gëzojnë respektin tonë më se të merituar.
Presidenti Topi i cilësoi ata si “gurët e themelit” të Shqipërisë së re moderne e demokratike. Vëmendje të veçantë gjatë fjalës së tij ai i kushtoi edhe një kategorie nxënësish, të cilët, të shtrënguar nga rrethana sociale të pafavorshme, janë të detyruar të braktisin shkollën.
“Është krejtësisht e papranueshme që për arsye ekonomike, për shkak të origjinës, ngujimit, etj., këta fëmijë të privohen nga e drejta universale njerëzore: nga e drejta për arsimim. U bëj thirrje institucioneve shtetërore që të marrin gjithë përgjegjësitë e duhura dhe të bëjnë të pamundurën për shkollimin e tyre! Jam i bindur se dhe ju mendoni në të njëjtën mënyrë dhe e ndani këtë shqetësim”, deklaroi kreu i shtetit.
a.y/NOA