English

PS: Berisha u vodhi festën mësuesve

Tiranë, 7 mars, NOA – Partia Socialiste ka reaguar sot për deklaratat e kryeministrit Sali Berisha në lidhje me festën e 7 marsit. Në një deklaratë për mediat, deputetja e PS-së, Ledi Shamku u shpreh se kreu i qeverisë u mori festën mësuesve për të folur edhe këtë ditë kundër opozitës.

“Sali Berisha nuk e ka harruar zakonin e vjetër. Njësoj si Enver Hoxha qëmotit, Saliu vazhdon të abuzojë me nxënës, studentë e arsimtarë herë duke i detyruar ata të mbushin sallat e sheshet e mitingjeve të partisë-pushtet, e së fundi duke abuzuar edhe me ditën e festës së arsimtarëve. Vetëm regjimi i Sali Berishës mund të flasë përpara nxënësve e arsimtarëve me atë gjuhë urrejtje që nuk e gjen kund në botën demokratike. Vetëm Sali Berisha mund t’u vjedhë arsimtarëve ditën e tyre të festës për t’u folur kundër opozitës”, tha sot Shamku.

Ajo e quajti të turpshëm faktin që edhe në ditën e Festës së Mësuesit fëmijët përdoren në mitingjet e Saliut njësoj si në diktaturë.

“Duhet të jesh realisht i pafytyrë që të dalësh e të bësh propagandë dhune e urrejtjeje përpara fëmijëve. Dhe duhet të jesh Sali Berisha që t’u flasësh për arritje e investime arsimtarëve të cilët flaken ne rruge nëse hapin gojën kundër regjimit të Saliut apo nëse refuzojnë të marrin pjesë në mitingjet e Saliut”, tha ajo.

Deputetja e selisë rozë u shpreh se sjellja e kryeministrit në këtë ditë e bën edhe më të domosdoshme protestën kundër qeverisë Berisha. Sipas saj të gjitha këto janë arsye edhe më të forta për t’iu bashkuar protestës përpara kryeministrisë. “Për t’i thënë ndal këtij palo kryeministri që tanimë nuk ndalet më as përpara abuzimit me fëmijët tanë. Këtij palo regjimi që i sheh arsimtarët jo si njerëz me një profesion të nderuar e të rëndësishëm për vendin, por si kope për të mbushur sallat e sheshet”, tha Shamku.

Sipas saj sot arsimtarët janë në një situatë të vështirë. Shamku tha se halli për të mbajtur familjen me bukë i detyron arsimtarët të ulin kokën e të mbyllin gojën përpara abuzimeve të pushtetit e të militantëve.

“Por u themi sot të gjithë arsimtarët shqiptarë se puna e tyre, është një nga prioritetet tona më të rëndësishme. Zhvillimi i arsimit dhe kthimi i dinjitetit të arsimtarëve që kryejnë një mision kaq fisnik në kushte kaq të vështira janë prioritetet e Partisë Socialiste sepse ndryshe nga regjimi që sundon sot, ne jemi të vetëdijshëm se përmes arsimimit kalon e ardhmja e Shqipërisë”, tha ajo.

a.k.NOA

KOMENTE