E hënë, 7 mars 2011, NOA- Ditën e sotme mësuesit në të gjithë Shqipërinë festojnë festën tashmë traditë, në mirënjohje dhe respekt të shkollës së parë shqipe.
Ashtu si çdo vit lidhur me këtë ngjarje shkollat, kryesisht 9-vjeçare dhe gjimnazet organizojnë aktivitete dhe mbulojnë me dhurata dhe lule, themeluesit e dijes për brezin e ri.
Por si lindi kjo festë?
Nevoja për dije bëri që përpjekjet e përbashkëta nga atdhetarët shqiptarë të Korçës, Bukureshtit e Stambollit për çeljen e një shkolle shqipe u intensifikuan në vitet e fundit të shekullit XIX.
Ndër intelektualët e njohur që kontribuan për këtë shkollë përmendim, Naum Veqilharxhin, Zef Jubanin, Jeronim De Rada, Konstandin Kristoforidhi, Thimi Marko, Naim e Saim Frasheri, Pashko Vasa etj.
Drejtuesit e Komitetit Shqiptar të Stambollit u kujdesën në këtë kohë edhe për hartimin dhe miratimin e një alfabeti të përbashkët për të gjithë bashkatdhetarët. Me këtë alfabet, ata botuan librin e parë "Alfabetarja e Gjuhës Shqipe".
Ndërsa në Korçë, nën drejtimin e Komitetit Kombëtar, ishin marrë të gjitha masat nga atdhetarët vendas për çeljen e shkollës së parë shqipe.
Kështu, më 7 Mars 1887, u çel shkolla në gjuhën amtare, e cila kishte fillimisht mbi 35 nxënës.
Ndonëse edhe më parë ishin bërë përpjekje për çeljen e shkollave shqipe, shkolla e parë e Korçës u shquajt për fizionominë e saj kombëtare, laike dhe demokratike.
Në fillim kjo shkollë kishte katër klasa, numri i nxënësve pas tre muajsh arriti në 60 dhe në vitin e dytë të saj në 300 nxënës.
Mësuesit e parë që dhanë mësim në këtë shkollë ishin Pandeli Sotiri, Thanas Sina e Thoma Avrami.
a.y/NOA